Mascherano i jep ultimatum Barcelonës, dëshiron të largohet në janar

  • 06 December 2017 - 11:48
Mascherano i jep ultimatum Barcelonës, dëshiron të largohet në janar

Mascherano dëshiron të largohet në janar dhe vetëm një takim special me drejtuesit mund t’ia ndërrojë mendjen.

Javier Mascherano ka bërë vetëm gjashtë paraqitje në La Liga, 10 në të gjitha garat në sezonin 2017/18 dhe argjentinasi mendon se më e mira për të është që t’i thotë lamtumirë Barcelonës, madje që në afatin kalimtar të janarit.

Sipas asaj që raporton “Mundo Deportivo”, klubi tashmë është njohur me kërkesën e Mascheranos për t’u larguar në janar dhe përgjigjja pritet t’i kthehet brenda pak ditëve.

Sido që të jetë, Barça nuk është në një situatë të mirë sa i përket lojtarëve defensivë pasi është lënduar Samuel Umtiti dhe do të mungojë së paku dy muaj.

Kështu, katalunasit mund të tentojnë ta bindin lojtarin që të qëndrojë të paktën deri në verë, nëse nuk identifikojnë asnjë mbrojtës për të rrëmbyer në afatin kalimtar të janarit.

Diçka të tillë e bëri të ditur, Guillermo Amor, në një intervistë për “beIN Sports”.

“A do të largohet në janar? Ideja është që ai të vazhdojë. Ai është fitues, është i rëndësishëm për këtë ekip dhe mund të na ndihmojë gjatë sezonit pasi mund të luajë në shumë pozicione”.


(Kosova Sot)