Kukësi kërkon drejtësi nga UEFA, gati dosja ligjore

  • 31 July 2015 - 15:35
Kukësi kërkon drejtësi nga UEFA, gati dosja ligjore

Kukësi nuk humbet kohë. Klubi verilindor e konsideron të papranueshëm vendimin për ndërprerjen e ndeshjes kundër Leagias së Varshavës. Shefi i klubit, Jonuz Hallaçi zbulon për Sport News hapat që do të ndiqen në instancat e UEFA-s ku do të vendoset për fatin e ndeshjes dhe klubit verilindor pas episodeve të pakëndshme që u regjistruan mbrëmjen e së Enjtes në “Qemal Stafa”.

“Vazhdojmë punën për grumbullimin e materialeve për provat juridike dhe ligjore për të kundërshtuar me forcë vendimin arbitrat të gjyqtarit të ndeshjes, i cili nuk ndoqi hapat e rregullores së futbollit. Do të bëjmë të pamundurën që të kopsitim një dosje të plotë”.

Për klubin kuksian gjithçka është e qartë, ishte arbitri kryesor Stephan Klossner ai që vendosi ndërprerjen e ndeshjes. Sipas Hallaçit, ai nuk mori parasysh asnjë propozim të bërë nga ana e zyrtarëve të klubit shqiptar, duke marrë një vendim deri diku abstrakt.

“UEFA ka dërguar sinjale për të vazhduar takimin. Arbitri shfaqi dyshime për ecurinë e ndeshjes që në pjesën e parë. Vendimin përfundimtar e mori ai, duke mos marrë parasysh garancinë që i dhamë ne për të zbrazur stadiumin”.

Pika më e fortë e mbrojtjes do të bazohet në faktin se asnjë tifoz nuk hyri në fushë për të rrezikuar vazhdimësinë e ndeshjes, ndërsa Hallaçi thekson se sjellja e tifozëve polakë ishte jokorrekte. Për të, ky është një skenar i parapërgatitur nga segmente që dëshironin destabilizimin e situatës.

“Askush nga ne nuk provokoi i pari, madje këtë e bënë tifozët dhe lojtari serb që shënoi golin. Nuk përjashtoj edhe një pjesë të vogël të tifozerisë së Kukësit që ranë pre e provokimeve dhe kontribuuan që Kukësi të ndëshkohet. Ata tifozë nuk kishin lidhje me Kukësin. Duda ndërroi fanellën dhe ishte gati për të luajtur dhe këtë e panë të gjithë”. 

Hallaçi shton më tej se Kukësi do të kërkojë përsëritjen e ndeshjes ose vazhdimin e saj në minutën ku u ndërpre, ndërsa nënvizoi faktin se kjo ngjarje mund të ndikojë në të ardhmen e klubit, pasi presidenti Safet Gjici do të rishikojë pozicionin e tij në krye të Kukësit.

“Personi që është prekur më shumë nga ajo shfaqje është presidenti Gjici. Ai ndodhet në një pozicion të tillë që do të rishikojë pozicionin e tij në përfundim të vendimit të UEFA-s. Mund të marrë një ekip me më shumë emër”.