B. Munich dhe Wolfsburg kërkojnë trofeun e parë sezonal

  • 31 July 2015 - 21:14
B. Munich dhe Wolfsburg kërkojnë trofeun e parë sezonal

Pas një shkëputje prej 62 ditësh rikthehet përsëri futbolli gjerman dhe si zakonisht sezoni i ri do të startojë me Superkupën. Për të katërtin vit radhazi në këtë takim do të kenë mundësinë për të luajtur rekordmenët e këtij vendi, megjithatë këtë radhë ndryshe nga tre sezonet e mëparshme Bajerni i Mynihut nuk do të ketë më përballë Borusian e Dortmundit por Wolfsburgun, që në finalen e kupës mundi pikërisht ekipin e Jurgen Klopp. Që nga takimi i 30 majit në Olympiastadion kanë kaluar dy muaj dhe këto dy skuadra nuk është se kanë ndryshuar shumë. Pas pushimeve të dy ekipet zhvilluan pa shumë bujë fazën përgatitore: Bajerni në Lindjen e Largët, në Kinë ndërsa Wolfsburgu preferoi të qëndrojë në Kontinentin e Vjetër ku bie në sy pjesëmarrja në “Kupën Emirates”, turneun e përvitshëm që organizohet në Londër nga klubi i Arsenalit. Të dy klubet kanë pothuajse dy javë që kanë nisur ndeshjet e kësaj faze dhe skuadra bavareze është dukur shumë më mirë sesa ekipi i Dieter Hecking, që në kryeqytetin britanik u mund në të dy ndeshjet e luajtura, respektivisht me Villarealin dhe Arsenalin.

 

Në merkato ekipi i Pep Guardiolës është përforcuar me brazilianin Douglas Costa, me 24-vjecarin e afruar nga Shakhtar Donetsk për plot 30 milionë Euro. Një shifër kjo më e madhe sesa vlera më të cilën janë transferuar te Bajerni emra të tillë si Robben apo Ribery që vite më parë u blenë nga drejtuesit e klubit bavarez respektivisht për 23 dhe 24 milionë, sidoqoftë trajneri katalanas po e mbron me forcë zgjedhjen e bërë dhe Douglas Costa është një ndër futbollistët që është përdorur më shumë gjatë fazës përgatitore. Një tjetër përforcim është gjithashtu edhe Arturo Vidal për vlerën e 35 milionë Eurove nga Juventusi, gjithsesi futbollisti i përfaqësueses kiliane mund të përdoret vetëm në pjesën e dytë si zëvendësues nëse do të lindë nevoja. Në krahun tjetër ujqërit po kërkojnë me arrogancë që të shndërrohen në forcën e dytë në futbollin gjerman, sidoqoftë në merkato pas blerjes në janar të Andre Schurrle-s nga Chelsea për një shumë prej 32 milionë Eurosh lëvizja më e rëndësishme e bërë nga Drejtori Sportiv Klaus Allofs konsiderohet blerja e sulmuesit të ardhur nga Borussia Monchengladbach Max Kruse, për 12 milionë Euro.

 

Nga kampionët në fuqi është larguar kapiteni Bastian Schweinsteiger i cili preferoi të luajë për një ekip si Manchester United, megjithatë diferencat mbeten ende shumë të mëdha, aq sa në edicionin e fundit të Bundesligës Bajerni e mbylli kampionatin me 10 pikë më shumë se ekipi i Dieter Hecking. Gjashtë vjet më parë ujqërve iu mjaftuan 69 pikë për t’i rrëmbyer titullin Bajernit ndërsa këtë vit një kuotë e tillë as që e ngacmoi aspak skuadrën e Guardiolës. Trajneri iberik nuk duket më edhe aq entuziast për zgjedhjen e bërë dhe në konferencën për shtyp përpara këtij takimi Guardiola rrëfeu se ndoshta nuk është trajneri i duhur për një klub të tillë, një deklaratë domethënëse kjo në një kohë kur i gjithë shtypi britanik e ul vitin e ardhshëm trajnerin spanjoll në stolin e Manchester City-t. Përsa i përket Superkupës Guardiola nuk do të ketë në mbrojtje lojtarë të tillë si Dante, Badstuber e Benatia, por nuk do të jetë gjithashtu as Javi Martinez, ndërkaq përvec francezit Ribery pritet të mungojë edhe Arjen Robben.