Si para si pas izolimit, cilësia mbetet e njëjtë - Sport - Kosova Sot
Si para si pas izolimit, cilėsia mbetet e njėjtė

Si para si pas izolimit, cilėsia mbetet e njėjtė

Pranimi në arenën ndërkombëtare, saktësisht në FIFA e UEFA, është shpresuar  se do ta ndryshojë plotësisht futbollin e Kosovës, i cili vuajti shumë sa ishte në kohën e izolimit. Mirëpo, ja tash kur jemi në vitin e dytë të pranimit gjërat nuk duket se kanë ndryshuar shumë. Një organizim jo i mirë i klubeve, infrastruktura e keqe, cilësia nën nivel e mbi të gjitha problemet e vazhdueshme financiare të klubeve po bëjnë që futbolli ynë të mos përparojë shumë. Ish-futbollisti i mirënjohur kosovar, Arsim Plepolli, për gazetën “Kosova Sot” ka thënë se ndryshimi i vetëm tash për tash është se po marrim pjesë në garat ndërkombëtare, dhe kjo duhet çmuar. Mirëpo, ai ka kërkuar të punohet shumë më shumë në aspektin profesional, pasi vetëm dalja në arenën ndërkombëtare nuk është asgjë. Federata e Futbollit e Kosovës po mundohet ta bëjë punën e vet, por e ka të pamundshme financiarisht t’i ndihmojë klubet dhe të ndërhyjë në politikat e tyre, kështu që edhe pse FFK-ja mbetet në një pozitë shumë më të mirë, janë klubet ato që po vuajnë dhe kjo po e stagnon përparimin e futbollit.

Plepolli: Sinjalet jo shumë pozitive

Plepolli, gjatë një analize për gazetën “Kosova Sot”, ka thënë se Federata e Futbollit e Kosovës ka ndryshuar për të mirë, mirëpo ky ndryshim nuk po vërehet edhe tek klubet të cilat po kanë probleme të mëdha organizative, por edhe në punën profesionale. “Me aq sa ka pasur mundësi FFK-ja u ka ndihmuar klubeve. Sa jam i informuar unë, ajo edhe financiarisht u ka ndihmuar, edhe pse me një shumë simbolike. Gjithsesi, ndryshimi është se marrim pjesë në garat e UEFA-s dhe FIFA-s, dhe se klubet tona janë të barabarta me gjitha klubet e botës. Ajo që vërehet në këtë periudhë është se  vullneti dhe dëshira për gara është rritur,  por edhe përfitimet financiare që marrin e bën të vetën”, ka thënë Plepolli për gazetën “Kosova Sot”, sipas të cilit shqetësuese mbetet cilësia, e cila vazhdon të jetë në një nivel të dobët. “Sa i përket cilësisë nuk po shoh ndryshime shumë të mëdha, përveçse disiplina është dukshëm më e mirë”, ka thënë Plepolli për gazetën “Kosova Sot”.

 FFK-ja të intervenojë në infrastrukturë

Një fakt tjetër që, sipas Plepollit, medoemos kërkon të ndryshohet është puna profesionale nëpër klube dhe rregullimi i infrastrukturës. Ai ka thënë se është e pamundshme që një ose dy trajnerë ta udhëheqin një klub. Aty kërkohet një shtim i stafit, në mënyrë që puna të jetë shumë më e mirë. “FFK-ja në këtë periudhë nuk ka pasur çfarë të ndryshojë. Ajo i ka rregulloret dhe atyre rregulloreve duhet t’i përmbahen. Ngjashëm sikurse duhet t’i përmbahen dhe respektojnë edhe klubet. Unë them se duhet të punojmë më shumë në mënyrë profesionale dhe të kemi shtabet teknike më të kompletuara. Nëse dëshirojmë profesionalizëm duhet të rritet numri i trajnerëve e jo të udhëhiqet skuadra me 1 ose 2 trajnerë. Federata e Futbollit e Kosovës për mendimin tim duhet të punojë më shumë në infrastrukturë. Ky institucion duhet të gjejë zgjidhje sa i përket infrastrukturës pasi vetëm në këtë mënyrë mund të ngritët cilësia”, ka përfunduar Arsim Plepolli.

(Kosova Sot)

18 orë e 52 minuta më parë
24/01/18