Skënderbeu-Milsami gjykohet nga një portugez

  • 03 August 2015 - 16:38
Skënderbeu-Milsami gjykohet nga një portugez

Zbulohen emrat e gjyqtarëve që do të gjykojnë ndeshjen e kthimit të raundit të tretë kualifkues të UEFA Champions League. Qeveria e futbollit europian ka vendosur që në sfidën e “Elbasan Arenës” të japë drejtësi një treshe arbitrash portugezë, me kryesor Artur Dias. Ky arbitër gjatë sezonit të kaluar ka gjykuar disa ndeshje të fazës së grupeve të Europa League.

Ndihmës të tij janë Rui Tavares dhe Paulo Soares. Për këtë duel, trajneri Mirel Josa nuk do të ketë të gatshëm dy mbrojtës, Tefik Osmanin për arsye dëmtimi, dhe Renato Arapin, i pezulluar nga UEFA me 3 ndeshje. Eliminimi i Milsamit do t’i siguronte Skënderbeut kualifikimin në fazën e grupeve të Europa League, që konsiderohet arritje historike për një klub shqiptar.

Ndërkohë drejtuesit e Skënderbeut kanë njoftuar të gjithë tifozët korcarë se nisja drejt Elbasanit të mërkurën do të bëhet në orën 17:00. Në dispozicion të mbështetësve të kampionëve të Shqipërisë do të ketë autobusë pa limit, por për të shmangur abuzimet e mundshme cdo tifoz duhet të ketë në dorë biletën e ndeshjes që të mund të udhëtojë falas.