Klubet nuk i përmbushin parashikimet

  • 19 January 2018 - 09:09
Klubet nuk i përmbushin parashikimet

KY AFAT KALIMTAR ËSHTË PRITUR TË JETË SPEKTAKOLAR, POR PO DEL TË JETË SHUMË I VARFËR

Kriza financiare apo menaxhimi i dobët po bëjnë që përforcimet të mungojnë

"Afati kalimtar i janarit po vazhdon të mbetet i dobët dhe nuk po i përmbush parashikimet. Nuk besoj se klubet kanë probleme me financat, sidomos tani, por mendoj se disa ekipe po u besojnë futbollistëve aktualë që i kanë në dispozicion për pjesën e mbetur të kampionatit", ka thënë Genc Sermaxhaj

Ishte paralajmëruar si një afat kalimtar spektakolar, por duket se do të përfundojë si njëri nga afatet më të varfër të mundshëm. Ekipet e Superligës së Kosovës në futboll, kur jemi në ditën e 19-të të afatit kalimtar të dimrit, vazhdojnë të mbesin të heshtura duke mos dhënë sinjale se po kërkojnë të përforcohet për pranverë. Analistët e cilësojnë si një afat të dobët, derisa nuk besojnë se do të ketë ndonjë transferë interesant deri në mbyllej të këtij afati. Pse po ndodh kjo, është vështirë të marrim në përgjigje të saktë, por duket se tregu i varfër dhe cilësia e dobët e kampionatit tonë po bën që lojtarët cilësorë të hezitojnë të vinë këtu. Duhet pranuar se janë disa ekipe që kanë bërë lëvizje si Gjilani e Llapi, por këto përforcime nuk mund të cilësohen të mëdha, pasi janë të njohura për opinionin dhe se këta lojtarë edhe më herët ishin pjesë e kampionatit të Kosovës, kështu që nuk pritet që këta ta ndryshojnë nivelin, i cili mund të ndryshojë vetëm nëse kemi prurje cilë- sorë nga jashtë.

Sermaxhaj: Afat i dobët

Për ish-futbollistin gjilanas, Genc Sermaxhaj, ky afat kalimtar nuk po i përmbush pritshmëritë, pasi vërtet është pritur shumë më shumë, por ja që klubet deri në këto momente nuk janë aq aktive. "Afati kalimtar i janarit po vazhdon të mbetet i dobët, disa nga ekipet kanë qenë aktive e disa te tjera jo. Mirëpo, edhe ato transfere që janë bërë deri tani nuk janë cilësore. Gjithsesi, duhet pranuar që vet ky afat kalimtar nuk iu jep hapësirë zgjedhjeje trajnerëve dhe klubeve", ka thënë Sermaxhaj për gazetën "Kosova Sot", i cili mendon se klubet e kreut ndoshta edhe nuk kanë nevojë për ndryshime. "Prishtina, Drita e Liria ende nuk kanë filluar me blerje, por nganjëherë nuk janë të domosdoshme blerjet. Këto ekipe kanë fond të mjaftueshëm e cilësorë të futbollistëve dhe trajnerët si duket nuk janë të interesuar të shpenzojnë kot në futbollistë", vlerësoi ish futbollisti i Prishtinës, Genc Sermaxhaj. "Këto klube që i përmenda vetëm duhet të punojnë më shumë me futbollistët në aspektin taktik dhe të komponojnë sa me shumë ekipin e tyre, të punojnë sa më shumë në vendosje, të zgjedhin se në cilët futbollistë duhet të përqendrohet për 11-shen startuese, dhe të përgatiten sa më mirë fizikisht e psikikisht, sepse do të jetë një kampionat i gjatë i nxehtë e shumë interesant", ka thënë Sermaxhaj për gazetën "Kosova Sot".

Nuk presin ndryshime

Sipas Sermaxhajt, edhe pse deri në mbyllje të afatit kalimtar të janarit ka mbetur ende kohë dhe klubet kanë mundësi të bëjnë ndryshime, nuk pritet të ketë ndonjë transfer spektakolar, çka bën që ky afat megjithatë të mos cilësohet si shumë interesant. Ai përjashton mungesën e financave nëpër klube që po dikon në këtë afat të heshtur. "Nuk besoj se klubet kanë probleme me financat sidomos tani, por mendoj se disa ekipe që ende nuk kanë bërë transfere, si duket po iu besojnë futbollistëve aktualë që i kanë në dispozicion për pjesën e mbetur të kampionatit", ka thënë Sermaxhaj për gazetën "Kosova Sot", duke besuar se ky ritëm do ta përcjellë këtë afat deri në fund. "Nuk do të ketë risi dhe nuk do të shohim ndonjë super transfer cilësor, ky afat gjithmonë ka qenë i varfër sa i përket cilësisë së transfereve, prandaj nuk mendoj se as në vazhdim mund të ketë ndonjë ndryshim të madh", përfundoi Genc Sermaxhaj.

(Kosova Sot)