Besa e gatshme për një pranverë super të nxehtë

  • 20 January 2018 - 10:56
Besa e gatshme për një pranverë super të nxehtë

SKUADRA PEJANE DUKET SE E KA TEJKALUAR KRIZËN QË PËRJETOI NË STINORIN VJESHTOR

Sigurimi i ekzistencës mbetet objektivi kryesor i pejanëve

"Shpresoj dhe uroj që ajo situatë e Besës të mos përsëritet kurrë. Nëse e kalojmë këtë situatë të vështirë, atëherë me bindje e them se kampionatin tjetër do të jemi shumë mirë në Superligë dhe do të kërkojmë tituj", ka thënë ish gardiani pejan, tash trajner te Besa, Valmir Bytyçi

Rikthimi i Besës në kohët e arta të saja duket të jetë i pamundshëm në një të ardhme të afërt. Megjithatë, shenjat e para që vijnë këto ditë nga Besa lënë të kuptohet se situatës së tmerrshme që përjetojë në stinorin vjeshtor, i ka ardhur fundi. Organizimi i klubit këto ditë ka filluar të këndellët dhe se ardhja në krye të shtabit teknik të atyre që dikur nuk njihnin kundërshtarë si Valdet Shoshi, Haxhi Zeka e Valmir Bytyçi kanë ngjallur shpresat se Besa po kthehet. "Pas një periudhe shumë të vështirë klub është duke u riorganizuar, falë iniciativës së kryetarit të komunës ku është caktuar kryetari i klubit Mustafë Nila dhe janë afruar edhe njerëz që ndër vite kanë kontribuar te KF Besa. Kjo na shtyn të besojmë se e kemi tejkaluar atë situatën e keqe që ishte në vjeshtë", ka thënë njëri nga legjendarët e Besës, Valmir Bytyçi, i cili tashmë është i ngarkuar me punën e trajnerit të portierëve të Besa.

Ish-kapiteni i kësaj skuadre, Valmir Bytyçi, ka thënë se menjëherë pas konsolidimit të kryesisë skuadra ka nisur edhe kompletimin e ekipit me të vetmin qëllim që në pranverë të sigurojnë mjaftueshëm pikë që të mos luajnë në barazh, aty edhe ku vendoset fati i skuadrës nëse do të mbetet apo jo pjesë e shoqërisë elite. "Aktualisht jemi duke e kompeltuar ekipin dhe nëse arrijmë që të kthejmë gjithë lojtarët që i kishim derisa ishim pjesë e shtabit teknik vitin e kaluar, atëherë mendoj që do ta sigurojmë se pari barazhin pastaj edhe mbetjen ne ligë", ka thënë Bytyçi për gazetën "Kosova Sot", duke shpresuar se periudha që kaloi ekipi në stinorin vjeshtor të mos ketë lënë pasoja. "Shpresoj dhe uroj që ajo situatë e Besës të mos përsëritet kurrë, pasi Besa duhet të jetë gjithmonë në luftë për trofe. Nëse e kalojmë këtë situatë, atëherë me bindje e them se kampionatin tjetër do të jemi shumë mirë në Superligën tonë dhe do të kërkojmë tituj", ka thënë ish gardiani pejan, tash trajner në ekipin e Besës.
Fillojnë përforcimet
Gjendja e vështirë financiare kishte bërë që disa lojtarë të largohet nga ekipi pejan duke bërë që fondi i lojtarëve të mbetet shumë i dobët. Kjo edhe shtyri drejtuesit e ri të klubit që të angazhohen për të sjellë përforcime. Pa dyshim rikthimi i Robert Gjerajt dhe Florent Papuqit është një lajm i mirë për tifozët pejanë. "Gjeraj ka ardhur dhe ai është një lojtar për t'u vlerësuar shumë. Nëse i kthejmë edhe Merlakun dhe Hoxhën, do të jemi shumë mirë me ekipin. Kryetari i ri i klubit na ka siguruar se buxheti deri në fund të stinorit është i sigurt, prandaj konsideroj që ka kaluar kriza që kishim dhe tash na mbetet vetëm të punojmë për t'i arritur objektivat që kemi ", ka thënë për gazetën "Kosova Sot" Valmir Bytyçi, duke shtuar se është shumë mirënjohës që ia kanë besuar udhëheqjen e ekipit emrave të vjetër të Besës dhe se ata do të japin gjithçka për të dëshmuar se nuk kanë gabuar me këtë vendim. Të kujtojmë se Besa pas pjesës së parë të kampionatit është në pozitën e 10-të me 13 pikë të tubuara vetëm 2 larg vendit që dërgon në një rang më poshtë të garave. Kjo edhe tregon qartë se sa punë do të ketë ekipi i Besës në pranverë në mënyrë që ta sigurojë qëndrimin në mesin e ekipeve elite të futbollit kosovar.
(Kosova Sot)