Dardan Berisha: Do të përpiqemi për rezultat pozitiv

  • 23 February 2018 - 11:01
Dardan Berisha: Do të përpiqemi për rezultat pozitiv

Kapiteni i Kosovës, Dardan Berisha, që ka mbrojtur ngjyrat e Polonisë dhe ka qenë pjesë e Eurobasketit derisa Kosova nuk ishte e pranuar në FIBA, në deklaratën e tij dhënë para ndeshjes ka thënë se Kosova do të përpiqet që të nxjerr rezultat pozitiv ndaj rivalit super të fortë.

“Mendoj se gjatë këtyre ditëve të përgatitjeve e kemi bërë një punë të mirë që të gjithë. Tani na mbetet që të hyjmë në parket dhe të bëjmë maksimumin tonë”.

“E dimë se nuk është aspak lehtë, e dimë se Polonia është një skuadër e fortë, por ne do të luajmë mirë dhe do të përpiqemi të nxjerrim rezultat pozitiv, edhe pse nuk do të jetë aspak lehtë”, ka thënë Berisha për faqen zyrtare të FBK-së sot.

Berisha që është duke kaluar një formë shumë të mirë te ekipi i tij Nymburk në Çeki, pritet të jetë arma kryesore e Kosovës në këtë përballje që zhvillohet sonte, me fillim prej orës 19:00.

Basketbollistët e Kosovës prej 19 shkurtit janë në përgatitje të përbashkëta në Poloni.

Për tri ditë kanë qëndruar në qytetin Torun, derisa më pas janë zhvendosur në Wloclawek, ku edhe do të zhvillohet dueli me polakët.

(Kosova Sot)