Spalletti karikon Interin për zonën Champions: “Nuk ka më kohë, duhet të lëmë gjithçka në fushë…”

  • 21 April 2018 - 14:52
Spalletti karikon Interin për zonën Champions: “Nuk ka më kohë, duhet të lëmë gjithçka në fushë…”

Zona “Champions”, ky është qëllimi i Interit, i cili do të udhëtojë të dielën drejt Chievos.

Duke bërë detyrën në ndeshjen e vet, zikaltrit shpresojnë te ndonjë hap i gabuar i Romës dhe Lazios, që kanë nga 64 pikë – kur kanë mbetur edhe pesë xhiro deri në fund, e që ndiqen nga Interi me 63.

Trajneri, Luciano Spalletti ka dalë në konferencë për shtyp dhe ka bërë prognozën e tij – duke kërkuar nga lojtarët që të japin 100 për qind në ndeshjet e mbetura pasi vetëm në këtë mënyrë, mund të shpresojnë për një vend në Ligën e Kampionëve.

“Ne i dimë anët e forta dhe të metat tona. Tani për tani, asgjë nuk është e vonuar. Nuk mund t’i zgjidhim të gjitha problemet në këtë moment, por duhet të jemi me xhiro të plota, 100 për qind, nëse duam të arrijmë qëllimin tonë. Dhe, mbi të gjitha, duhet të vendosim zemrën në fushë”, u shpreh Spalletti.

“Unë nuk e di se çfarë kemi më shumë se Roma dhe Lazio, por e them me bindje të plotë se nuk kemi asgjë më pak se ato”, shtoi ai.

“Njeriu i momentit? Brozovic është një lojtar me personalitet. Jam i bindur se ai ka gjetur ekuilibrin tashmë, por ende mund të na japë shumë, ashtu siç ka bërë në ndeshjet e fundit”, theksoi mes tjerash trajneri i Interit

(Kosova Sot)