Drita kampione E KOSOVËS

  • 21 May 2018 - 08:39
Drita kampione E KOSOVËS

NË MËNYRË SPEKTAKOLARE MBYLLET KAMPIONATI I KOSOVËS

Drita është skuadra kampione e Kosovës në futboll dhe me plot meritë po e feston titullin e dytë kampion. Ndeshja vendimtare e zhvilluar ndërmjet Prishtinës e Dritës, ashtu siç është pritur, ka sjellë spektakël, por në fund ka festuar vetëm një skuadër dhe ajo ishte Drita, e cila në stadiumin "Shahin Haxhislami" në Pejë luajti baras 0:0 me Prishtinën, mjaftueshëm për ta sjellë titullin e kampionit pas 15 viteve mungesë. Në anën tjetër, Prishtina e cila ishte mobilizuar jashtëzakonisht e zhgënjyer e ka lëshuar stadiumin, dhe krejt çfarë i mbetet për ta shpëtuar vitin është finalja e Kupës, ku këtë të diel që vjen ballafaqohet me Vëllaznimin. Të kujtojmë se Drita si kampione e Kosovës do të luajë në Ligën e Kampionëve, ndërsa Prishtina është kualifikuar për Ligën e Evropës.

Curri, viktima e ndeshjes

Sa i përket ndeshjes ishte e qartë se presioni do të jetë shumë i madh të te dyja ekipet, por askush nuk kishte besuar se ky presion do të ndikojë më së shumti te dy futbollistët më me përvojë që kanë karrierë të bujshme edhe ndërkombëtare, Debatik Curri e Armend Dallku të Prishtinës, të cilët e mbyllën ndeshjen para kohe, për shkak të kartonit të kuq. Curri u ndëshkua në pjesën e parë në minutën e 32-të, pas një ndërhyrje jashtë vijave të fushës në Xhevdat Shabanin dhe ky veprim i tij duket se pati ndikim direkt në rrjedhën e lojës, pasi Prishtina dukej e pafuqishme ta thyente Dritën shumë të mobilizuar. Gjilanasit përkundër që kishin një lojtar më shumë në fushë, nuk u lëshuan në aventura duke e menaxhuar shumë mirë ndeshjen, gjë e cila plotësisht e paralizoi lojën e Prishtinës, e cila dukej e humbur dhe në asnjë moment nuk e rrezikonte portën gjilanase. Se presioni e ka arritur kulmin dëshmoi Armend Dallku kur u përjashtua me karton të kuq në minutat shtesë të ndeshjes.

Isufi: E merituam titullin, Josa e uron

Tejet i emocionuar dhe i lumtur është parë pas ndeshjes, trajneri i Dritës, Bekim Isufi, i cili ka thënë se këtë gëzim dhe këtë titull e kanë merituar qytetarët e Gjilanit. "Nuk kam fjalë për ta përshkruar këtë emocion. Drita e ka merituar të shpallet kampion, pasi ka treguar kreativitet gjatë gjithë kampionatit, pavarësisht konkurrencës që kishim. Në këtë ndeshje të madhe u treguam gjakftohtë dhe nuk e kishim frikë kundërshtarin. Pas kësaj feste të madhe do të ulemi me drejtuesit e klubit dhe të mendojmë për Evropën. Gjilani ka dy festa, për Gjilanin që shpëtoi në superligë dhe për Dritën kampione, kështu që në edicionin e ardhshëm do të kemi prapë derbin për të cilin na lakmon e gjithë Kosova", ka thënë Bekim. Teje i emocionuar është parë edhe ish futbollisti i Prishtinës, tash në radhët e Dritës, Liridon Leci. "Duhet falënderuar trajnerin Milaim Zuzaku, pastaj edhe trajnerin Bekim Isufin, i cili ka ditur të menaxhojë mirë skuadrën. E kemi merituar pasi që e kemi një super skuadër. E meritojnë "Intelektualët" dhe gjithë qytetarët e Gjilanit. Do të festojmë për javë të tëra", ka thënë Liridon Leci. Në anën tjetër trajneri i Prishtinës, Mirel Josa e ka uruar Dritën për këtë sukses duke e quajtur të merituar. "Unë nuk e kam parë aq mirë kartonin e kuq të Currit, por ne na u prishën ekuilibrat. Drita e meritoi, bëri lojën e vet dhe mori atë që dëshironte. Nuk dua të merrem me vendimet e arbitrave, tash kemi finalen e Kupës dhe atje duhet të bëjmë punën si duhet", ka thënë Mirel Josa.

Gjilani shpëton, Vëllaznimi në barazh

Vëllaznimi është skuadra që do të luajë në barazh për mbetje në elitë, pasi në ndeshjen e javës së fundit në Vala Superligë që u zhvillua në Gjakovë ka barazuar pa gola me Gjilanin. Ky epilog i këtij takimi i shkoi përshtati skuadrës gjilanase, e cila falë këtij barazimi u konfirmua si anëtare e elitës edhe për edicionin e ardhshëm. Rëndësia e kësaj ndeshje kishte bërë që tribunat e stadiumit në Gjakovë të ishin të stërmbushura dhe gjithçka shkoi mirë deri në minutën e 92-të, kur disa tifozë hodhën gjësende në fushë, me ç'rast pësoi lëndim në kokë Betim Haxhimusa. Kjo ishte arsye që gjyqtari Genc Nuza kërkoi zbrazjen e tribunave për të vazhduar më pas me minutat e mbetura, e ku nuk ndryshoi asgjë në rezultat. Në ndeshjen tjetër Drenica dhe Liria barazuan me rezultat 1:1. Të parët në epërsi kaluan vendasit me golin e Kreshnik Ukës, në minutën e 30-të, derisa golin e barazimit për Lirinë e shënoi Artur Magani, në minutën e 74-t. Kësisoj, tashmë dihet se nga Superliga janë përshëndetur Besa dhe Vllaznia, derisa në barazh të mërkurën Flamurtari do të luajë kundër Vushtrrisë, derisa Vëllaznimi të enjten do ta kërkojë mbetjen në elitë në duel me Ferizajn. Ndërkohë në Superligë nga Liga e Parë janë inkuadruar KEK-u dhe Ballkani, derisa nga Liga e Parë janë përshëndetur Kosova (P) dhe Hajvalia, derisa në barazh kanë përfunduar Trepça dhe Rahoveci. 

Starova shijon fitoren e parë

Trepça'89 ka shënuar fitore me rezultat bindës kundër Vllaznisë, me rezultat 6:1. Golat për skuadrën mitrovicase i shënuan El-Kayed, Ylber Maloku, Oto John dhe Arb Manaj kurse me një gol ka kontribuar edhe lojtari mysafir Elbasan Thaçi, që realizoi autogol. Ndërkaq, golin e vetëm për Vllazninë e shënoi Almedin Murati, në minutën e 82- të. Për Vllazninë kjo ishte ndeshja e fundit në elitë, pasi në edicionin e ri do të bëjë gara në Ligën e Parë, së bashku me Besën. Kjo e fundit u përshëndet me humbje nga Superliga, pasi në shtëpi u mposht nga Llapi, me rezultat 3:4. Nga dy gola për llapjanët i shënuan Gentrit Begolli dhe Mirlind Daku, derisa për pejanët dy gola i shënoi Fetim Kasapi, kurse një gol Florent Qorraj. Fitores si mysafir iu gëzua edhe Feronikeli, që e mposhti Flamurtarin, me rezultat 3:0, me golat e shënuar nga Mendurim Hoti, Albutrint Morina e Haxhi Shala. Kjo ishte fitorja e parë për Sulejman Starovën nën drejtimin e skuadrës nga Drenasi. 

 

(Kosova Sot)