Salah sot debuton në Botëror kundër Rusisë, Polonia dhe Kolumbia i zhvillojnë ndeshjet hapëse

  • 19 June 2018 - 10:36
Salah sot debuton në Botëror kundër Rusisë, Polonia dhe Kolumbia i zhvillojnë ndeshjet hapëse

Sot, në ditën e gjashtë të Botërorit Rusia 2018 do të zhvillohet tri duele, ku katër skuadra i zhvillojnë takimet hapëse ndërsa dy të tjera luajnë në xhiron e dytë.

Sot bëjnë debutimin e tyre në Botërorin në Rusi katër skuadrat e fundit të gjitha pjesëmarrëse në grupin H.

Dita hapet me duelin e “Mordovia Arena” në Saransk mes Kolumbisë dhe Japonisë. Ashtu si 4 vite më parë por me ndryshimin e vetëm që këtë herë është ndeshja e parë dhe jo e fundit si në Brazil, Los Cafeteros dhe përfaqësuesja nipone përballen sërish, me Kolumbinë që është favorite e madhe jo vetëm për të fituar këtë ndeshje por edhe për ta mbyllur grupin në vendin e parë.

Ndryshe nga katër vite më parë këtë herë Kolumbia e Pekerman mund të mbështet edhe kapiteni Radamel Falcao ndërsa James Rodriguez ka më shumë eksperiencë dhe do të provojë t’i mahnitë të gjithë sërish me golat dhe asistet e tij. Japonia ndërkohë shpreson shumë te forma e mirë e tre lojtarëve të saj më të njohur, Kagawa, Honda dhe Nagatomo për të bërë diçka më mirë në këtë Botëror se 4 vite më parë.

Në orën 17:00 në Moskë në stadiumin e Spartakut do të zhvillohet një sfidë me të vërtetë zjarri mes Polonisë dhe Senegalit, një përballje direkte për vendin e dytë në grup ose për ndoshta edhe më tepër. Nga njëri krah është Robert Lewandowski i cili po kalon një formë të shkëlqyer edhe pse e ardhja e tij te Bayerni është një dilemë e madhe.

Në krahun tjetër Sadio Mane një nga tre fantastikët e sulmit të Liverpooli i cili i mbështetur edhe nga siguria e Koulibaly në prapavijë do të synojë të ndihmojë Senegalin të shkojë sa më larg në këtë Kupë Bote. Në mbrëmje në Shën Petersburg, Egjipti me Mohamed Salah në fushë do të përpiqet t’i vendosë shkopinjtë nën rrota vendit organizator Rusisë. Vendasit një fitore do të kualifikonte automatikisht në fazën tjetër ndërsa faraonëve të Hector Cuper për të vazhduar ëndrrën mund të mos u mjaftojë as një barazim pasi golevarazhi flet në favor të Rusisë.


(Kosova Sot)