De Gea, shpreson ende te Reali i Madridit

  • 27 August 2015 - 22:12
De Gea, shpreson ende te Reali i Madridit

David De Gea shpreson ende te një transferim i mundshëm te Reali i Madridit. Gjatë muajit Gusht bisedimet mes Manchester United dhe Los Blancos kanë ngecur kjo për shkak të kërkesave të larta të Djajve të Kuq për kartonin e futbollistit, megjithatë sipas asaj që raporton “Daily Mail” tratativat mund të nisin sërish në ditët e fundit të merkatos, dhe mundësitë për një kalim të De Geas në “Santiago Bernabeu” gjatë kësaj vere ekzistojnë ende.

Manchester United kërkon 33 milionë Paund për të lënë të lirë portierin 24-vjecar një shifër kjo që konsiderohet si shumë e lartë nga drejtuesit e Realit të cilët nuk dëshirojnë të shpenzojnë kaq shumë para për një futbollist që ka vetëm 1 vit kontratë. Gjithsesi menaxheri i De Geas, portugezi Jorge Mendes është optimist se deri në përfundim të merkatos mund të arrihet një marrëveshje mes palëve.

Ky i fundit shpreson se 20-herë kampionët e Anglisë do t’i ulin kërkesat e tyre deri në 25 milionë Paund, një shifër e përballueshme kjo për Realin e Madridit. Në 3 takimet e fundit David De Gea është dërguar në tribunë nga trajneri i Djajve të Kuq, Louis Van Gaal, i cili ia ka besuar portën argjentinasit Sergio Romeros, dhe nëse cështja e tij nuk merr një zgjidhje deri në fund të merkatos, 24-vjecari spanjoll rrezikon ta shikojë gjithë sezonin nga shkallët e stadiumit.