Si Klopp tentoi ta rrëmbejë Mbappen

  • 18 September 2018 - 16:52
Si Klopp tentoi ta rrëmbejë Mbappen

Trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp, kishte tentuar ta transferonte Kylian Mbappen te klubi i tij nga Monaco, para se ky i fundit t’i bashkohej skuadrës së Paris Saint-Germainit, raporton L’Equipe.

Francezi, i cili në atë kohë ishte lojtar i Monacos, thuhet se ishte magjepsur nga strategu gjerman, por në fund, Liverpooli nuk arriti ta blinte Mbappen, për shkak se nuk kishin mundësi t’ia ofronin të njëjtën shumë Monacos si Real Madridi dhe PSG-ja.

Sonte në orën 21:00, Mbappe do të luajë në Anfield, pasi që Liverpooli ndeshet me PSG-në, në kuadër të fazës së grupeve të Ligës së Kampionëve.

Mbappe ishte kërkuar edhe nga rivalët e Liverpoolit, Chelsea, në vitin 2012. Madje, francezi kishte qenë për një javë në prova të londinezët, por në fund ata e kishin humbur mundësinë për ta pasur Mbappen në skuadër, pasi që i kishin kërkuar të vinte në prova përsëri, gjë të cilën nëna e Mbappes e kishte refuzuar.

Në fund, Mbappe përfundoi si lojtar i Paris Saint-Germainit, ku u transferua verën e kaluar për 180 milionë euro. Që nga atëherë, ai është bërë i njohur si lojtari më i mirë i ri, për shkak të talentit të tij që e ka dëshmuar si në ndeshjet me PSG-në, ashtu edhe me Kombëtaren e Francës.

Interesim për Mbappen dhe bashkëlojtarin e tij në PSG, Neymarin, kanë shprehur edhe Real Madridi, por që të dy kanë vendosur të qëndrojnë për të paktën edhe një sezon në klubin francez.

 

(Kosova Sot)