Ethet e Superligës

  • 21 September 2018 - 10:01
Ethet e Superligës
Kampionat më i balancuar se në vitin e fundit

Të shtunën do të nisë edicioni i ri në elitën e basketbollit të Kosovës. Prishtina është përforcuar dukshëm më shumë se skuadrat e tjera, të cilat do të mundohen të arrijnë në "Play-off" dhe secila prej tyre i ka gjasat e saj. Kjo pritet që të bëj një kampionat më interesant, së paku më i balancuar se në edicionin e kaluar

Të shtunën do të zhvillohen tri ndeshje në kuadër të javës së parë të Superligës së Kosovës në basketboll, që shënon edhe fillimin e ri të edicionit. Ky kampionat pritet të jetë më interesant, për shkak se skuadrat nuk kanë dallime të mëdha ndërmjet tyre, përveç Prishtinës, që ka bërë shumë përforcime, derisa ekipet tjera do t'i kenë gjasat e tyre që të hynë në "Play-off", ku befasinë edicionin e kaluar e bënë Ylli dhe Rahoveci, që u gjendën në mesin e katër skuadrave më të mira, edhe pse nuk arritën të depërtojnë në finale. 

S'ka shumë dallime ndërmjet skuadrave Ky kampionat do të jetë i pari pa Pejën në elitë, që nuk ka shlyer borxhet ndaj FIBA-s dhe FBK-së. Verdhezinjtë ishin ndër skuadrat më me traditë në basketbollin e Kosovës dhe një humbje e madhe për basketbollin e Kosovës, që nuk do të garojnë në elitë. Sidoqoftë, pejanët do të përfaqësohen me Borean, që zuri vendin e Pejës në Superligë, kurse kanë hyrë Prizreni dhe Lipjani. Ish-basketbollisti i njohur, Valentin Spaqi, është shprehur se pret një kampionat interesant. "Superliga do të jetë interesante, pasi përveç Prishtinës që është përforcuar shumë, skuadrat tjera nuk kanë shumë dallime të mëdha. Do të thotë, Prishtina dhe të tjerat do të luftojnë për garat përfundimtare. Të gjitha do t'i kenë mundësitë e tyre dhe do të shohim në fund se, kush do t'i arrijë objektivat në fund", ka thënë Valentin Spaqi për gazetën "Kosova Sot". Të gjitha (tetë skuadrat e Superligës) kanë bërë përforcime për edicionin e ri, duke shpresuar se do të jetë një kampionat më interesant, veçanërisht më i mirë se ai i vitit të kaluar, ku kishte rënie të madhe në cilësi dhe shikueshmëri, duke u konsideruar si një nga kampionatet më të dobëta pas luftës në basketboll.

Gara për "Play-off" Prishtina, Peja, Trepça e Bashkimi, kanë formuar katërshen e madhe në vitet e fundit në basketboll, por kjo u thye edicionin e kaluar, kur pejanët dhe prizrenasit për shkak të problemeve nuk arritën të gjenden në pjesën përfundimtare të garave, kurse verdhezinjtë nuk do të marrin pjesë fare në këtë edicion. Trepça ka rikthyer vendorët dhe ka marrë katër lojtarë të huaj, duke shpresuar se do të këndellet, sepse në edicionin e kaluar përfundoi në pozitën e pestë të garave të rregullta."Mendoj se Prishtina e Bashkimi do të hynë në pjesën përfundimtare, dhe nëse këndellen pak Ylli e Prizreni, por sigurisht se edhe skuadrat tjera do të kenë mundësitë e tyre", shtoi tutje Valentin Spaqi për gazetën "Kosova Sot". Edicionin e kaluar kampion u shpall Bashkimi, që ishte titulli i parë në histori të klubit prizrenas, që arriti edhe në finale të Kupës dhe në Ligën Ballkanike, kurse kupën e fituan bardhekaltrit, që më pas fituan edhe Superkupën e Kosovës në basketboll dhe janë pretendentja kryesore për titullin e kampionit, për të rikthyer trofeun në kryeqytet.  

(Kosova Sot)