FIFA i dëshpëron klubet e mëdha me vendimin e fundit

  • 26 September 2018 - 11:20
FIFA i dëshpëron klubet e mëdha me vendimin e fundit

FIFA planifikon ta limitojë numrin e lojtarëve që i lejohet një klubi t’i dërgojë në huazim gjatë një sezoni. Nëse ky propozim pranohet edhe nga këshilli i organizatës, klubet do të mund t’i dërgojnë vetëm gjashtë lojtarë si huazime.

Komiteti i Aksionarëve të Futbollit i FIFA-s u takuan dje në Londër me përfaqësuesit e Shoqatës së Klubeve Evropiane, Forumit të Ligave të Botës dhe FIFPro, si dhe federatat anëtare të futbollit.

Në këtë takim u mbështet projekti i FIFA-s për ta revolucionarizuar sistemin e transferimeve, në mënyrë që të rritet transparenca, të mbrohet integriteti, si dhe përforcohet mbështetja për lojtarët e rinj në akademitë e klubeve.

“Ne i kemi sjellë të gjithë në këtë tavolinë dhe të gjithë akterët kryesorë të kësaj industrie e kanë kuptuar se ne duhet të ndërmarrin disa veprime, të cilat parashihen në reformën e paraqitur sot”, ka thënë presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino.

“Ky është një hap i rëndësishëm për të siguruar transparencë më të madhe, për të përforcuar rregullat efektive të cilat do t’i sigurojnë plane më të mirë financiare klubeve të futbollit, si dhe do të arrijmë një konsensus sa i përket zgjidhjes së problemit të agjentëve, huazimeve dhe disa aspekte të tjera të rëndësishme në sistemin e transferimeve”.

Ky propozim do t’i dërgohet edhe Këshillit të FIFA-s për aprovim. Ata kërkojnë që të formohen sisteme elektronike për transferimin e lojtarëve në nivel kombëtar, si dhe kanë krijuar rregulla të reja të cilat e përcaktojnë se çfarë i lejohet një agjenti të bëjë gjatë negociatave për transferimin e klientëve të tyre.

France Football ka theksuar se sezonin e kaluar Juventusi i kishte huazuar 41 lojtarë, Udinese 27, Chelsea 22, ndërsa Manchester City 18.

 

(Kosova Sot)