Barcelona s’e ka fituar asnjë El Clasico pa Messin në formacion që prej debutimit të tij më 2004

  • 21 October 2018 - 13:53
Barcelona s’e ka fituar asnjë El Clasico pa Messin në formacion që prej debutimit të tij më 2004

Barcelona do ta zhvillojë El Clasicon e parë që prej vitit 2007 pa prezencën e Lionel Messit, pasi kapiteni katalonas e theu dorën në përballjen e së shtunës ndaj Sevillës.

Messi e kishte përgatitur një gol dhe e kishte shënuar një tjetër në përballjen e liderëve të La Ligës në “Camp Nou” para se të rrëzohej pakëndshëm. Pesë herë fituesi i Topit të Artë natyrisht ndiente dhimbje të mëdha, edhe pse ekipi mjekësor i Barçës ia mbështjelli me fashë dorën e djathtë dhe fillimisht u duk se ai mund ta vazhdojë lojën.

Pas një vonese të gjatë, Messi u largua nga stadiumi, megjithatë, dhe Barcelona pak kohë pas fitores 4-2 konfirmoi se testet mjekësore të kryera në Messin treguan se argjentinasi e ka thyer dorën e djathtë. Kjo nënkupton se El Clasico i të dielës së ardhshme mes Barcelonës dhe Real Madridit do të jetë e para pa prezencën e Messit apo Ronaldos, për herë të parë në 11 vitet e fundit.  

 

Statistikat e Messit në El Clasico

Sipas të dhënave të Opta, këto janë rekordet e Messit në njërën prej ballafaqimeve më të rëndësishme në histori të futbollit.

38 – Messi ka luajtur në 38 El Clasico për Barçën, 17 prej të cilave i ka fituar duke i humbur 12 tjera.

26 – Kapiteni i Barçës i ka shënuar 26 gola kundër Real Madridit, duke e tundur rrjetën në katër nga pesë takimet e fundit në El Clasico.

2 – Messi ka realizuar het-trik dy herë, së pari në mars të vitit 2007 dhe për herë të dytë pas plot shtatë viteve në “Santiago Bernabeu”.

8 – Nga të gjitha 38 paraqitjet e Messit në El Clasico, tetë kanë qenë finale, përfshirë në Super Kupën e Spanjës. Në ato ndeshje, argjentinasi i ka shënuar gjashtë gola.

35 – Messi është paraqitur në 35 El Clasico radhazi për Barçën, dhe hera e fundit që mungoi ishte viti 2007, kur përballej me një lëndim në kofshe.

2 – Barcelona i ka zhvilluar dy El Clasico pa Messin që prej debutimit të tij më 2004, duke barazuar 1-1 në shtëpi më 2006 dhe duke humbur 1-0 në udhëtim vitin pasues. 

 

(Kosova Sot)