2000 policë, helikopterë dhe Garda e Republikës për Shqipëri-Serbi

  • 04 October 2015 - 15:32
2000 policë, helikopterë dhe Garda e Republikës për Shqipëri-Serbi

Gjovalin Loka: “Forcat e angazhuara për këtë ndeshje do të jenë pak a shumë sa ato që garantuan mbarëvajtjen e ndeshjes me Portugalinë, pra bëhet fjalë për rreth 1500 forca policie“.

Vetëm pak ditë pas shifrës zyrtare të dhënë nga Drejtori i Rendit Publik, Gjovalin Loka, Policia e Shtetit duket se ka vendosur të rrisë numrin e efektivëve që do të garantojnë sigurinë më 8 Tetor për ndeshjen Shqipëri-Serbi. Mbrëmjen e së enjtes në Elbasan pritet të jenë në detyrë të paktën dymijë forca policore, për mbarëvajtjen e sfidës kualifikuese të Euro 2016, por edhe për të siguruar rendin në qytet ku të pranishëm pritet të jenë mijëra tifozë nga të gjitha trevat.

Përveç agjentëve të policisë, në stadium do të ketë edhe një numër të konsiderueshëm të forcave të Gardës së Republikës, të cilët do të sigurojnë figurat e larta publike, nisur nga Kryeministri shqiptar Edi Rama e kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, por edhe sepse deri në momentin e një refuzimi zyrtar, në stadium pritet të jetë i pranishëm edhe kryeministri serb, Aleksandar Vucic. Ashtu siç ishte paralajmëruar, stadiumi do të ruhet nga ajri nga tre helikopterë, të cilët do të kujdesen për hapësirën ajrore mbi Elbasan Arena-n, që mos të kopromentohet siguria apo ecuria e ndeshjes.

Asgjë nuk do të kalojë pa u vënë re në stadium, me shtetin shqiptar, policinë dhe Federatën e Futbollit që janë të vendosur të krijojnë një atmosferë të sigurt për përfaqësuesen shqiptare dhe atë serbe, sepse gjithçka rreth përballjes së 8 Tetorit lidhet me dinjitetin dhe imazhin e vendit tonë. Forcave të shumta të policisë dhe gardës, u shtohen edhe afro 400 stjuard, të punësuar nga Federata Shqiptare e Futbollit, për të siguruar qetësinë gjatë ndeshjes.