Mediat europiane: Serbia fiton “derbin e Ballkanit”

  • 09 October 2015 - 10:23
Mediat europiane: Serbia fiton “derbin e Ballkanit”

Kanë qenë të shumta mediat e huaja që kanë komentuar humbjen e Shqipërisë 0-2 ndaj Serbisë mbrëmjen e së enjtes në stadiumin e Elbasanit. Pothuajse të gjitha janë fokusuar te pësimi i dy golave në minutat e fundit të takimit.

Gazeta më e madhe sportive në Itali, “La Gazzetta dello Sport” shkruan se “De Biazi tashmë është i detyruar të fitojë në Armeni”. Gazeta italiane e nis artikullin: “Serbia kalon në Tiranë 2-0. Minuta ankthi për skuadrën e De Biazit që pëson të parin gol nga Kolarov në minutën e 91′ dhe tre minuta më vonë ka ardhur edhe dopieta në kundërsulm me anë të Ljajic”,- shkruan gazeta italiane. Ajo thekson se Shqipëria është e detyruar të fitojë në ndeshjen e fundit në Armeni “për të mos i thënë lamtumirë ëndrrës Euro 2016”.

Gazeta “Tutosport” del me titullin: “Shqipëri – Serbi 0-2 – Garë e blinduar në Elbasan”.Nga kjo gazetë shkëputim: “E përfolura si derbi i Ballkanit shkoi në favor të Serbisë. Ka shënuar Kolarov në minutën e 91′ dhe interisti Ljajic në minutën e 94. Skuadra e De Biazit është në vendin e tretë, një pikë pas Danimarkës, por me një ndeshje për të luajtur ende. Do të luhet për gjithçka më 11 tetor kundër Armenisë. Serbia ndalon me 2 pikë dhe me tre pikë penalizim”.

AbcNews e vë theksin te fitorja e serbëve në minutat shtesë. “Serbia rrëmben fitoren 2-0 në Shqipëri në një takim të tensionuar”.

YahooNews: Serbia pengon shpresat historike të Shqipërisë për të shkuar në Europë.

ESPN: “Serbia shënon dy herë në kohën shtesë dhe shokon Shqipërinë”

“The Guardian”: “Një përfundim dramatik në Elbasan Arena me dy gola diferencë në minutën e 90′ kanë bërë diferencën e Serbisë e cila ka luajtur për krenari dhe asgjë tjetër. Nata e madhe e Shqipërisë u prish nga një nxitim i skuadrës, por ata kanë edhe një shans të dytë për t’u kualifikuar pas tri ditësh në Armeni”.

“Daily Mail” del me titullin: “Branislav Ivanovic dhe Nemanja Matic dëmtohen në ndeshje, por Serbia siguron fitoren 2-0 në minutat e fundit ndaj Shqipërisë në ndeshjen e “ri-luajtur” pas përplasjeve për dronin.” Britanikja shkruan se loja ishte i qetë në krahasim me atë që ndodhi pas dronit të hedhur në Beograd vitin e kaluar.

gazxetat