Gjilani merr rezultatet e testeve për “COVID-19”

  • A.P /
  • 17 August 2020 - 23:14
Gjilani merr rezultatet e testeve për “COVID-19”

Sport Club “Gjilani” ka marrë pasditen e së hënës (17 gusht) rezultatet e 40 testeve të kryera në vikend.

Zyrtarët e këtij klubi dhe stafi teknik mund të jenë shumë më të qetë tani, pasi që nga mostrat e bëra, rezultatet janë negative dhe tashmë mbetet vetëm konfirmimi i vizave nga ambasada italiane në Prishtinë.

Këto informacione i ka konfirmuar drejtori ekzekutiv në klubin gjilanas, Sevdail Robelli, i cili në një prononcim për Gazetën “Sheshi” deklaroi se pas rezultateve të testeve, tashmë ndodhen në pritje të vizave.

“Nga mostrat e bëra një ditë më parë rezultatet janë konfirmuar negative dhe tashmë po presim vetëm lëshimin e vizave nga ambasada italiane në Prishtinë dhe të udhëtojmë drejt San Marinos për t’u paraqitur ndaj Tre Penne”, deklaroi Robelli.

Gjilani prej ditësh është vendosur në karantinë në njërin nga hotelet e qytetit, derisa me masa strikte po mbajnë edhe seancat stërvitore duke mos i lënë asgjë rastit.

Nënkampionët e vendit të mërkurën me fillim nga ora 21:00 do të zhvillojnë ndeshjen e rundit parakualifikues ndaj Tre Pennes në kuadër të Ligës së Evropës.

(Kosova Sot Online)