NBA, Golden State shkruan historinë, Warriors 16 fitore radhazi

  • 25 November 2015 - 10:33
NBA, Golden State shkruan historinë, Warriors 16 fitore radhazi

Një legjendë! Vetëm kështu mund të përkufizohet Golden State Warriors i këtij sezoni. Kampionët në fuqi të NBA regjistruan fitoren e 16-të radhazi duke hyrë në histori si skuadra e parë që e nis sezonin me 16 suksese në 16 ndeshjet e para. Viktima e fundit për Warriors, ishin 16-herë kampionët e NBA, Los Angeles Lakers që në Oakland u mposhtën me rezultatin e thellë 111-77. Falë kësaj fitoreje Golden State theu rekordet e Houston Rockets dhe Washington Capitals me 15 fitore në 15 sfidat e para në sezonet 1993-1994 dhe 1948-1949. Ndaj Lakers-ave Stephen Curry realizoi 24 pikë 9 asiste dhe 4 rebound, duke rezultuar basketbollisti më i mirë mbi parket për skuadrën e trajnerit Steve Kerr.

Përballë një Los Angeles Lakers në një nga periudhat më të errta të të gjithë historisë së saj, Warriors e kishin shumë të thjeshtë të regjistronin ftoren e radhës. Vetëm një periodë u mjaftoi vendasve për të hedhur knock-out, Lakers-at. Në përfundim të periodës së parë Golden State kryesonte me shifrat 30-11. Deri në fund sfida e “Oracle Arena” nuk pati më histori me kampionët e NBA që arritën kështu suksesin e 16-të radhazi në këtë sezon. Në ndeshjet e tjera të mbrëmjes spikat suksesi i Chicago Bulls, përballë Portland Trail Blazzers në shtëpinë e këtyre të fundit. 88-93 ishte rezultati i kësaj sfide me Bulls-at që iu falën paraqitjes së mirë të Jimmy Butler. Fiton edhe Los Angeles Clippers. Kalifornianët triumfuan në transfertën e Colorados përballë Denver Nuggets me shifrat 111-94. Blake Griffin dhe DeAndre Jordan ishin dy basketbollistët më të mirë mbi parket për Clippers-at në këtë takim.