Paraqitjet e shqiptarëve deri në këtë fazë të E. League

  • 25 November 2015 - 10:46
Paraqitjet e shqiptarëve deri në këtë fazë të E. League

Për herë të parë në histori, Shqipëria është përfaqësuar në Europa League nga dy skuadra. Të parët janë kampionët e Skënderbeut, në arritjen më të madhe në arenën ndërkombëtare. Por, për t’u mos u lënë pas dore është ekipi i legjonarëve, që militojnë në klubet europiane.

Plot 10 emra, mes të cilëve 9 futbollistë dhe një trajner. Baseli mbetet skuadra që vazhdon të mbështetet te kolonia kuqezi, me katër lojtarë. Zviceranët kryesojnë Grupin I me 9 pikë dhe mund t’u mjaftonte vetëm një pikë për t’u kualifikuar. Taulant Xhaka është i padiskutueshëm me katër ndeshje të plota në Europa League, ndërsa Shkëlzen Gashi vuan zgjedhjet e teknikut Fischer duke luajtur në një rast si titullar përballë Belenenses dhe 10 minuta si zëvendësues ndaj Lech Poznan. Vetëm 13 minuta për Albian Ajetin në sfidën me Belenensen, ndërsa prej transferimit në fundin e merkatos së verës, Naser Aliji nuk është i regjistruar në listën e ekipit Europa League.

Në radhët e skuadrave italiane të impenjuara në aktivitet, shkëlqen Etrit Berisha. Ashtu si edhe një vit më parë, gardiani kthehet titullar te Lazio në ndeshjet ndërkombëtare. Pas mungesës përballë Dnipros, Berisha regjistron tre aktivizime të plota. Një garanci për Lazion që kryeson me 10 pikë dhe një penallti e pritur në sfidën e fituar 3-1 përballë Rosenborg.

Te Napoli që është kualifikuar në Grupin D, në Europa League aktivizohen më së shumti lojtarët që nuk kanë hapësira në skuadër. Elseid Hysaj është një titullar i padiskutueshëm në Serinë A, ndërsa në Europë ka luajtur një herë titullar në ndeshjen e parë të fituar 5-0 ndaj Club Brugges dhe në 20 minutat e fundit të sfidës me Midtjylland.

Në Grupin J spikati derbi i shqiptarëve ndërmjet Ansi Agollit dhe Besnik Hasit. Mbrojtësi kuqezi mbetet një prej lojtarëve kryesorë të Qarabag-ut, që ndodhet në vendin e parafundit me 4 pikë. Agolli fitoi 11-metërsh në ndeshjen e parë të humbur 3-1 me Tottenham në White Hart Lane, ndërsa spikati edhe në fitoren minimale ndaj Anderlecht dhe në barazimin e fundit 1-1 në shtëpi me Monaco.

Me Hasin në krye RSC Anderlecht renditet në vendin e fundit me 4 pikë, pas barazimit 1-1 në shtëpi me Monaco dhe fitores 2-1 me Tottenham.

Vetëm dy ndeshje për Ergys Kaçen te PAOK, me grekët që renditen të parafundit në Grupin C me 3 pikë, pas tre barazimeve me Qabala, Dortmund dhe Krasnodar. Mesfushori luajti 85 minuta në ndeshjen e dytë me Dortmund të barazuar 1-1 në Selanik, ndërsa ishte titullar në barazimin pa gola me Krasnodar ku edhe u dëmtua.

Herolind Shala është një prej titullarëve të padiskutueshëm te Slovan Liberec, që me 7 pikë renditet i dyti në Grupin F dhe është pranë kualifikimit. Më 22 Tetor mesfushori u lëndua në barazimin 1-1 përballë Groningen, duke thyer hundën, por u kthye në fushë edhe në ndeshjen e katërt të fituar 0-1 në fushën e holandezëve.

I fundit në listë është sulmuesi Vasil Shkurtaj, që militon te Asteras Tripolis. Grekët renditen të parafundit në Grupin K dhe janë praktikisht jashtë garës, ndërsa ish-lojtari i ekipit Shpresa është aktivizuar vetëm 2 minuta nga stoli në ndeshjen e humbur 2-1 në fushën e APOEL Nicosia.