Dominimi i Mercedes-it e dëmton sportin

  • 01 December 2015 - 08:58
Dominimi i Mercedes-it e dëmton sportin

E thotë shefi i Red Bull-it, Christian Horner

Shefi i skuadrës Red Bull, Christian Horner pret që dominimi i Mercedes-it të jetë shumë i madh edhe për edicionin e ardhshëm të Formula 1. Skuadra gjermane e ka fituar titullin kampion për ngasës dhe konstruktorë në dy edicionet e fundit dhe ka regjistruar 32 fitore në 38 gara, që nga momenti i ndryshimit të rregullores në vitin 2014. Red Bull-i arriti të siguronte 3 fitore edicionin e kaluar, por këtë edicion zbriti në vendin e katërt në klasifikimin përfundimtar për konstruktorë, duke mos regjistruar asnjë fitore këtë edicion dhe duke luftuar çdo garë për të kompletuar ndryshimet në motor, transmeton gazeta Kosova Sot Online.

Nuk beson në ndryshime radikale

Horner nuk beson se do të ketë ndryshime radikale për vitin 2016, duke lënë të njëjtin avantazh në favor të Mercedes-it. “Mendoj se rregullorja është shumë e përcaktuar edhe për vitin tjetër dhe është e pashmangshme që Mercedes-i të vijojë të mbajë të njëjtin dominim që ka pasur këto dy vitet e fundit”,  ka deklaruar Horner. Ai mendon se një dominim i tillë e dëmton sportin dhe sjell argumente që dominimi i Mercedes-it nuk është aspak i ngjashëm me atë të Red Bull-it në edicionet 2010-2013: “Jam i mendimit se parashikueshmëria e rezultateve dhe fitoret dominuese janë të vështira për çdo sport. Ne jemi akuzuar për një gjë të tillë, por ne kurrë nuk patëm mundësinë të gëzojmë vijueshmërinë e suksesit, pasi 2 nga titujt kampionë ne i vendosëm në garën e fundit dhe ne nuk e mbyllëm asnjëherë edicionin me ngasësit kampion dhe nënkampion, siç po bën Mercedes-i. Në këtë mënyrë ne i largojmë njerëzit nga ky sport. Jam i sigurt se askush nuk dëshiron të shikojë Fernando Alonso-n që vetëm të jetë pjesëmarrës. Ne duam ta shikojmë atë të luftojë për të fituar. Ne duam të shikojmë Daniel Ricciardo-n të jetë në garë për të fituar. Ne duam të shikojmë Sebastian Vettel-in të garojë për të fituar me Lewis Hamilton-in e Nico Rosberg-un”.

(Kosova Sot)