Liverpooli dhe Bayerni “dorëzohen”, Alonso do të mbetet te Leverkuseni

  • S.A /
  • 29 March 2024 - 08:51
Liverpooli dhe Bayerni “dorëzohen”, Alonso do të mbetet te Leverkuseni

Liverpooli dhe Bayern Munichi presin që Xabi Alonso të qëndrojë në Bayer Leverkusen përtej këtij sezoni dhe të dy klubet raportohet se tani do të ndjekin objektiva tjerë, transmeton "Kosova Sot Online ".

Alonso po kalon sezon të jashtëzakonshëm te skuadra gjermane, duke kryesuar në Bundesligë, teksa është ende në garë në Ligën e Evropës dhe Kupën e Gjermanisë, teksa nuk njeh ende humbje në asnjë garë.

Puna e mirë e bërë të Leverkuseni padyshim që tërhoqi interesimin e klubeve të mëdha evropiane, përfshirë Liverpoolin dhe Bayern Munichin, por duket se këto dy klube nuk po “e tundojnë” spanjollin.

Sipas “The Athletic”, por edhe mediave tjera nga Britania e Madhe, Liverpooli ka qenë në dijeni për disa kohë që Alonso nuk ka gjasa të largohet nga Leverkusen këtë verë dhe tani po shqyrton opsione tjera për të zëvendësuar Jurgen Kloppin, i cili do të largohet në fund të sezonit.

Ndërsa, presidenti i nderit i Bayernit, Uli Hoeness, pranoi interesimin e klubit për të nënshkruar me Alonson, por tha se beson se ai do të vazhdojë të jetë pjesë e rivalëve të tyre.

“Do të jetë e vështirë, nëse jo ndoshta e pamundur. [Alonso] është më i prirur të qëndrojë në Bayer Leverkusen për shkak të sukseseve të tyre aktuale, sepse ai nuk do të donte t’i linte ata pas. Le të themi nëse do të kishte edhe dy apo tre vite sukses, ndoshta do të ishte më e lehtë ta ‘nxirrnim’ nga atje”, tha Hoeness për “Das Erste”.

Ashtu si Liverpooli, edhe Bayern Munichi do të shqyrtojë opsione tjera, pasi edhe “Bavarezët” do të jenë pa trajner në fund të sezonit – kur do të largohet Thomas Tuchel.

Xabi Alonso me Bayer Leverkusenin ka kontratë të vlefshme deri më 30 qershor 2026.

(Kosova Sot Online )