Dy ndeshje futbolli për sot në Superligë: Feronikeli ’74 pret Malishevën, Fushë Kosova takohet me Lirinë

  • S.A /
  • 27 April 2024 - 09:29
Dy ndeshje futbolli për sot në Superligë: Feronikeli ’74 pret Malishevën, Fushë Kosova takohet me Lirinë

Sot do të zhvillohen dy ndeshjet hapëse të javës së 31-të në Superligën e Kosovës.Feronikeli ’74 do të jetë nikoqir i Malishevës në “Rexhepi Rexhepi”,transmeton "Kosova sot Online ".

Për të dy skuadrat pikët janë më se të nevojshme. “Nikli” po lufton për t’i ikur pozitës së barazhit, kurse malishevasit po synojnë daljen në Evropë.

Skuadra nga Drenasi është e teta në tabelë me 31 pikë, kurse Malisheva është e katërta me 52 sosh.

Ndeshja tjetër do të zhvillohet në “Sami Kelmendi” të Lipjanit, mes dy skuadrave nga fundi i tabelës – me Fushë Kosovën që do të jetë nikoqire e Lirisë.

Siç dihet, prizrenasit janë të përshendetur nga elita e futbollit kosovar, duke u renditur të fundit në tabelë. Liria deri tash ka grumbulluar 11 pikë.

Ndërsa, Fushë Kosova është në pozitën e parafundit (9) me 20 pikë të grumbulluara dhe matematikisht ende ka gjasa për mbijetesë.

Të dy ndeshjet do të luhen nga ora 15:00. 

(Kosova Sot Online )