Vdekja e gruas së Alban Hoxhës, tension në gjykatë

  • 29 April 2016 - 22:02
Vdekja e gruas së Alban Hoxhës, tension në gjykatë

Ka vijuar edhe këtë të enjte, gjyqi ndaj mjekëve të akuzuar për vdekjen e bashkëshortes së futbollistit të Partizanit, Alban Hoxha, e cila humbi jetën pas lindjes së djalit.

Seanca e sotshme në Gjykatën e Tiranës u shoqërua me tension në sallë, mes familjarëve të së ndjerës, Doriana Haka dhe mjekut, Petrit Rexhepi, i akuzuar për këtë vdekje. Kërkesat e të pandehurit Rexhepi dhe avokatit të tij, për thirrjen e dëshmitarëve të tjerë, kanë ngjallur reagimin e familjarëve të Dorianës, të cilët kanë shkëmbyer akuza dhe fyerje në sallën e gjyqit.

Sipas familjarëve të së ndjerës, kërkesat për thirrjen e dëshmitarëve të rinj që nuk dinë asgjë për ngjarjen, pasi në operacion ka qenë i pandehuri Rexhepi, bëhen thjesht për të zvarritur procesin.

“Thërriten dëshmitarë pa arsye kur Prokuroria duhet ta mbyllë çështjen. Unë besoj shumë te drejtësia, ndryshe nuk do ta kisha bërë kallëzimin, por zgjatja nuk më pëlqen”, u shpreh njëri nga familjarët për “Top Channel”.

Një tjetër e pandehur në këtë proces është anestezistja, Elona Burba.

(Kosova Sot)