Republika e sunduar nga mafio-oligarkët (Video)

  • 26 May 2018 - 09:16
Republika e sunduar nga mafio-oligarkët (Video)

Osmani: As armiqtë e këtij shteti nuk do të kishin diturtë bëjnë keq aq sa kanë bërë këta që janë në pushtet për këto dy dekada!

"Mafia ekonomike private e ka kapur tërë shtetin. Kjo mafi sundon në komuna, edhe në pasurinë e tundshme dhe në nivel qendror. Kudo i ka njerëzit e vet, që i shërbejnë kësaj mafie kriminale. Pushteti është në shërbim të mafisë dhe të krimit. Pushtetarët janë pasuruar shumë dhe çdokush e shikon vetëm vjedhjen. Në këtë gjendje duhen masa radikale penale. E kjo duhet duke filluar nga presidenti i vendit e deri te më i vogli", thotë profesor Muhamet Kelmendi për "Kosova Sot" 

Analistët politikë, përcjellës të afërt të dy dekadave të përpjekjes për shtetndërtim, konsiderojnë se në vend të zhvillimit e prosperimit kjo kastë politike vetëm e ka zhvatur, shkatërruar dhe degraduar shtetin e Kosovës, që nga paslufta e deri më sot. Për pasojë të kësaj kaste politike të inkriminuar, edhe qytetarët po vuajnë rëndë pikërisht për shkak të kësaj klase politike të dështakëve, të inkriminuarve dhe të mashtruesve më të mëdhenj gjer më tani, e që janë përgjegjësit kryesorë që Kosova politikisht, diplomatikisht dhe ekonomikisht e padrejtësisht po vuan dhe po dështon në të gjitha fushat. Sipas analistëve, për 20 vjet, e sidomos në 10 vitet e fundit, pushtetarët e nivelit qendror dhe atij lokal u inkriminuan thellë dhe u bënë protagonistë kryesorë të krimit të organizuar, të korrupsionit, të kontrabandës ,të varfërisë, papunësisë e padrejtësisë dhe për rrjedhojë edhe të largimit të shqiptarëve nga atdheu i tyre, prandaj ata ndajnë mendimin se tanimë është koha që edhe bashkësia ndërkombëtare nuk duhet të mjaftohet më tutje vetëm nga "stabilokracia" e rrejshme politike e para shpërthimit, por që urgjentisht të kërkojnë që edhe nivelet më të larta politike, si në nivelin qendror po ashtu edhe në atë lokal, të sillen para përgjegjësisë reale në bankën e të akuzuarve për inkriminim dhe krimin e organizuar në vend.

Bandat një ditë do të ndëshkohen nga ligji

Sipas analistit politik Reshat Badallaj, kjo gjendje e tillë është në Kosovë, pasi që shtetin e ka kapur, sipas tij, mafia, e cila mund të vazhdojë edhe ndonjë ditë kështu në kapje të shtetit, por vjen koha kur drejtësia vendoset në vend dhe këta do të përgjigjen për të bërat e tyre. "Gjithkund në botën e qytetëruar kur e marrin në dorë pushtetin klasat e inkriminuara kanë dështuar turpshëm. Them kanë dështuar karshi me popullin, sepse ata të inkriminuarit i kanë mbushur xhepat e tyre dhe kanë siguruar pasuri shumëmilionëshe me hajni,por ama edhe një gjë nuk duhet harruar se, ndonëse me vonesë, por këto banda janë përgjigjur. Do të thotë këtë fat të zi e përjetoi edhe Kosova shumë pa meritë, edhe pse e pagoi shumë me jetë njerëzish,por edhe këto banda në Kosovë do të përgjigjen para drejtë- sisë, edhe pse ndihen këta banditë të fuqishëm tani për tani", u shpreh ai."Të gjitha kanë për t'i larë në këtë botë. Unë sa e përcjelli politikën si fëmijë, në asnjë vend të botës nuk ka më të poshtër, më tradhtarë, më rrenacakë, më mashtrues, më të pafytyrë se politikanët në Kosovë. Në vendet demokratike vetëm një fjalë nëse e devijojnë, se mos të flasim për afera korruptive, pa një pa dy japin dorëheqje. Ndërkaq, në Kosovë jo vetëm që kanë afera dhe skandale korruptive, por akuzohen për hajni dhe vepra tjera penale, jo vetëm banditët dhe hajnat që nuk japin dorëheqje, por vazhdojnë veprimtarinë e vetë kriminale dhe askush nuk i trazon", tha Reshat Badallajt për "Kosova Sot". Sipas tij, derisa populli nuk po arrin që t'i ndëshkojë këta me votë, duhet të zgjohet faktori me ndikim ndërkombëtar dhe t'i nxjerrë nga loja e kapjes së institucioneve të gjithë këta të inkriminuar. "E vetmja shpëtimtare mund të jetë bashkësia ndërkombëtare dhe me këmbëngulje të reagojë për të akuzuar dhe të dënuar banditët dhe kryebanditët e këtij krimi shumë të organizuar nga nëntoka kriminale", vijoi më tej ai. "STUHIA GRUEVSKI" ka kaluar Lubetenin, po fryn edhe në Kosovë, ka filluar të tundë degët edhe në anët tona", potencoi Reshat Badallaj.

Qeverisjet e dështuara të pasluftës

Sipas analistit Shefik Shkodra, që nga fillimi i pasluftës, nga kjo kastë politike, nuk u vërejt se kanë bërë një qeverisje të vetëdijshme për Kosovën dhe qytetarët e saj. "Që të gjithë u vërsulën,duke sharë të parët, ata të dytët se do ta bëjnë më mirë, se ata janë të korruptuar dhe po bëjnë skandale politike, ekonomike etj., nekur të vijnë do ta rregullojmë këtë vend. Dhe kjo u provua me ata e me këta, por doli si një befasi për opinionin tonë. Dy partitë që e mbajnë veten si të parat, herë njëra e herëtjetra (LDK dhe PDK), janë rrjedha e të gjitha të këqijave që i janë kanosur vendit tonë. Duke filluar me një privatizim të egër e për interesa të institucionalitëve qendrorë dhe lokalë, e bën rrafsh...Nuk u mbeti qytetarëve kurrfarë mbështetje në askënd dhe në asgjë. Më parë zhdukën ekonominë. Plaçkitën toka, dyqane, banesa, bënë lloj-lloj falsifikimi me dokumentacione për punë të veta. Punësuan militantë në arsim, në shëndetësi, në gjyqësi, në administratë, pjesa më e madhe gjysmakë, analfabetë, vetëm servilë e të përulur", u shpreh ai."Politika nuk bëhet me njerëz analfabetë. Por, Kosova u nëpërkëmb edhe me plaçkitje të buxhetit të saj nga ana e institucionalitëve, duke filluar nga ato kuvendet e pahairit, me paga e mëditje, me qeveritë e shtrenjta e pa ndonjë funksionalizëm si duhet", tha Shkodra për "Kosova Sot". Ai shton se sistemi i drejtësisë është kapur tërë- sisht nga politika."Tash ka filluar të shihet sa lëndët kanë mbetur të paluara nëpër skedat dhe raftet e kancelarive të tyre...", ka thënë Shkodra. 

KELMENDI: RRETH 50% E TË RINJVE MENDOJNË TA LËSHOJNË KOSOVËN!

Sipas prof. Muhamet Kelmendi, në Kosovën e pasluftës ka pasur, në disa drejtime, edhe përparime, por edhe vështirësi të theksuara, sidomos në fushën ekonomike, sociale, të arsimit dhe të shëndetësisë. Ai thotë se probleme të veçanta ka vendi edhe në fushën e rendit dhe të sigurisë, të luftimit të krimit dhe të korrupsionit, si dhe të mafisë ekonomike private."Dukuritë e tilla e kanë keqësuar shumë gjendjen e masave në Republikën e Kosovës. Kjo ka krijuar papunësi, skllavëri të theksuar, si dhe një gjendje pa perspektivë. Të rinjtë e të rejat nuk kanë të ardhme. Nga analizat e Fridrich Elbert Stiftung, të bëra në Kosovë, si rezultat i perspektivës së errët, rreth 50% e të rinjve mendojnë ta lëshojnë Kosovën. Nga ky 50% rreth 70% nuk dëshirojnë të kthehen fare më në Kosovë dhe vetëm 30% dëshirojnë të punojnë pa e lëshuar përfundimisht Kosovën. Ky fakt i këtij hulumtimi tregon se gjendja është në pikën e vëllimit popullor dhe është shumë çudi pse populli nuk ngrihet në protesta të përgjithshme", u shpreh ai."Mafia ekonomike private e ka kapur tërë shtetin. Kjo mafi sundon në komuna, edhe në pasurinë e tundshme dhe në nivel qendror. Kudo i ka njerëzit e vet, që i shërbejnë kësaj mafie kriminale. Pushteti është në shërbim të mafisë dhe të krimit. Pushtetarët janë pasuruar shumë dhe çdokush shikon vetëm vjedhjen", potencoi Kelmendi."Në këtë gjendje duhen masa radikale penale. E kjo duhet duke filluar nga Presidenti i vendit e deri te më i vogli", tha ai për "Kosova Sot".

GURAZIU: QYTETARËT PO VUAJNË RËNDË PËR SHKAK TË KËSAJ KLASE POLITIKE TË DËSHTAKËVE, TË INKRIMINUARVE DHE TË MASHTRUESVE!

Ragip Guraziu, analist politik, thotë se kjo klasë politike e tej inkriminuar që nga paslufta e deri më sot e ka degraduar skajshmërisht shtetin e Kosovës."Po vuajnë qytetarët rëndë pikërisht për shkak të kësaj klase politike të dështakëve, të inkriminuarve dhe të mashtruesve më të mëdhenj gjer më tani, e që janë përgjegjësit kryesorë që Kosova politikisht, diplomatikisht dhe ekonomikisht e padrejtësisht po vuan dhe po dështon në të gjitha fushat, për 20 vjet, e sidomos në 10 vitet e fundit, pushtetarët e nivelit qendror dhe atij lokal u inkriminuan thellë dhe u bënë protagonist kryesorë të krimit të organizuar, të korrupsionit, kontrabandës, të varfërisë, papunësisë e padrejtësisë dhe për rrjedhojë edhe të largimit të shqiptarëve nga atdheu i tyre", vlerësoi ai për "Kosova Sot". 

"Një gjë tashmë po dihet publikisht, se jo vetëm në Kosovë, por edhe faktori ndërkombëtar është në dijeni se në Kosovë ka korrupsion deri në fyt, prandaj për të shpëtuar vendin sa më parë duhet burgosur banditët e bandave politike në Kosovë, sepse janë të lidhur shumë ngushtë dhe ndajnë pazarin bashkë", tha Reshat Badallaj për "Kosova Sot"

Qytetarët, të zhgënjyer e të stërlodhur

Qytetarët e anketuar nga gazeta po ashtu pohojnë se kjo kastë politike që ka qeverisur vendin për këto dy dekada vetëm e ka degraduar dhe nuk e ka zhvilluar shtetin e Kosovës. I zhgënjyer në maksimum është shprehur qytetari Hasan Osmani, i cili tha se as armiqtë e këtij shteti nuk do të kishin ditur të bëjnë keq aq sa kanë bërë këta që janë në pushtet për këto dy dekada. "Këta e kanë bërë atë që askush nuk e ka bërë prej se ka ekzistuar Kosova, këta kanë bërë më së miri për vete, për vete dhe për familjet e tyre, familjet e ngushta dhe për këta shokët e vet që i kanë aty, se për popull kurrgjë hiq... Unë kam punuar me studentë 38 vjet në qendër të studentëve, kishe boll mirë janë edukuar, boll të rregullt kanë qenë, e boll kemi pasur shpresa në ta, por së fundmi na dëshpëruan. Kjo klasë politike nuk ka punuar asgjë, çka ka punuar Rusia edhe Serbia këta kanë punuar njësoj pas tyre, këta asgjë nuk guxojnë tjetër të bëjnë edhe po të duan. Tjetër ka qenë para lufte, më ndryshe pak, kemi pasur shpresa se nuk ka qare pa u bërë mirë, sepse okupatori na ka shkatërruar me mijëra vjet familje pas familje, edhe pas luftës tani unë i kam humbur shpresat krejt në këta, sepse po shihet që nuk ka asgjë prej tyre", tha Hasan Osmani për "Kosova Sot". Po aq kritik shprehet për këtë kastë politike edhe Fehmi Isaku."Kurrfarë note e vlerësimi pozitiv nuk mund t'u jap këtyre...pak apo pak e hiq, sepse kryesorja papunësia është në nivel të lartë, rinia po ikin. Ata po kryejnë fakultete, magjistratura dhe nuk po ka punë për ta, vetëm punë- torë sigurimi dhe vozitës- shoferë të taksive, se për të shpresuar ta gjejnë atë drejtimin e vet adekuat që e ka kryer shkollën jo, nuk ka aspak shpresë as mundësi", tha Isaku, i cili akuzoi madje edhe stafin ndërkombëtar se në shumë raste ata i kanë bërë dëm shtetit të Kosovës akoma më shumë së kjo kastë jona politike, duke u bërë së bashku në krim e korrupsion. Gjykim të të njëjtit nivel ka edhe qytetari tjetër, Nuha Beka."Pritjet që kemi pasur për zhvillim dhe përparim nuk janë përmbushur nga kjo kastë politike tash e 20 vjet. Unë së pari po nisem prej vetes, nuk jam në marrëdhënie pune, jam duke punuar privat edhe nuk po kemi çka të themi se është bërë apo po bëhet mirë. Jam lajmëruar në Entin e Punësimit, ku shkoj në çdo tre muaj dhe as që ka ndodhur ndonjëherë për të më thënë shko atje apo shko këtu e lajmërohu se ka një mundësi punësimi. Unë realisht nuk kam mundur t'i korrigjoj këta çka kanë bërë, sepse po më duhet të punoj, por realisht nëse e shohim gjendjen po shihet që për të mirën e popullatës jo nuk kanë bërë asgjë, e sa për institucione këta që janë po i shohim vetë. Unë për vete po e them pa asnjë pikë dyshimi se nuk jam aspak i kënaqur me këtë klasë politike dhe me atë që kanë bërë deri më tani sidomos për interesin e përgjithshëm dhe të mirën e qytetarëve, kanë bërë vetëm për vete", tha Nuha Beka për "Kosova Sot".

(Kosova Sot)