Youtube ka gati aplikacionin rival të TikTok

  • A.P /
  • 16 September 2020 - 16:13
Youtube ka gati aplikacionin rival të TikTok

YouTube ka njoftuar se do të testojë një version beta në Indi për të rivalizuar aplikacionin popullor të videove TikTok.

Platforma e re e quajtur YouTube Shorts, do të kufizojë videot në 15 sekonda dhe do të shfaqë krijime që janë të ngjashme me ato të TikTok në pronësi të Kinës. Menjëherë pas ndalimit të TikTok në Indi, një numër i madh konkurrentësh lokalë kanë nxituar të plotësojnë boshllëkun e aplikacionit dhe YouTube gjithashtu do të jetë në këtë listë.

Kujtojmë se TikTok dhe 58 aplikacione të tjera kineze u ndaluan nga India, pas rritjes së tensioneve kufitare në qershor midis dy vendeve. Para mosmarrëveshjeve, India ishte tregu më i madh i huaj për TikTok, duke pasur rreth 120 milionë përdorues.

Chris Jaffe i Youtube, në një postim në blog, tha që “Shorts” ose “video të shkurtra” është “për krijuesit dhe artistët që duan të xhirojnë video të shkurtra dhe tërheqëse duke përdorur asgjë tjetër përveç celularëve të tyre”.

Platforma e re përmban një aparat fotografik multi-segmentor për të bashkuar shumë video klipe, ka një kontroll shpejtësie dhe një kohëmatës me numërim mbrapa që jep mundësinë për të regjistruar pa duar. “Shorts”, gjithashtu, u jep përdoruesve mundësinë për të regjistruar duke përdorur muzikë, si dhe qasje në një bibliotekë këngësh.

Jaffe u shpreh i bindur se kjo platformë do të zgjerohet edhe në tregjet e tjera, pasi produkti është më i rafinuar dhe ka veçori të reja.

Ky publikim i YouTube, erdhi menjëherë pasi firma e teknologjisë amerikane Oracle ka konfirmuar se pronari i TikTok, ByteDance, i ka propozuar zyrtarisht të bëhet një “partner i besuar i teknologjisë” në SHBA.

(Kosova Sot Online)