Ngjarje e vërtetë: Më braktisi për shkak të një reklame! (5)

  • 28 April 2019 - 15:47
Ngjarje e vërtetë: Më braktisi për shkak të një reklame! (5)

Nuk flisja asgjë derisa e dëgjoja, edhe pse gjithçka në mua vlonte. Vajza jonë u ngrit nga anësorja e kauçit, ku ishte ulur, iu afrua dhe e pështyu në lule të ballit. Që të dy mbetëm të shtanguar. Samiri e ngriti dorën, por unë me të shpejtë e largova vajzën, duke mos e lënë që ta godiste. Isha e vetëdijshme se ajo kishte gabuar, mirëpo nuk mund ta lija ta maltretonte fizikisht, për shkak se ma kishte mbajtur anën mua. - Mami është grua e bukur dhe e mbanë veten mirë. Të gjitha shoqet në shkollë më thonë se sa e lumtur jam, që kam një nënë të këtillë. Nuk është e thënë që ajo të duket si ato rrospitë tuaja adoleshente. Ajo është një nënë e mrekullueshme, të cilën do ta donte çdo fëmijë, gjë që nuk mund të thuhet për ty, si baba. Përpos kësaj, ti nuk mund të flasësh për bukuri. Shikoje veten! Je i shkurtër, qel, ke këmbë të shkurtra si kaçikë zhabe, të mungojnë vetëm edhe brirët. Më vjen turp që të kam babë. Më vjen gërdi nga ti - i tha ajo me një neveri aq të madhe në zë, sa që disi më erdhi keq për Samirin, por vetëm për pak sekonda. Djali më kishte përqafuar dhe nuk bënte zë. E, Samiri vetëm qeshi me ironi dhe u nis të dilte. - Shihet që mami të ka mësuar mirë. Je si ajo. Por, kujdes kur të martohesh. Mos e merr shkollën e saj, se edhe ty të len burri, pastaj - i tha ai në fund.

- Nëse burri im do të më vlerësojë vetëm në bazë të pamjes së jashtme, atëherë më mirë të më lërë, nuk më duhet asgjë një burrë i tillë. - E dashur, qetësohu, shpirti i mamit! Lëre babin që të shkoj rrugës të cilën vetë e ka zgjedhur. Le të kënaqet me manekinet e reklamave - i thash vajzës. Samiri më nuk komentoi asgjë. Nuk iu kërkoi falje fëmijëve, nuk i përqafoi ata, nuk u përshëndet me ta. Nuk iu premtoi se nuk do t'i harronte dhe se, pa marrë parasysh të gjitha, do të ishte babai i tyre përgjithmonë. E rrapëlloi derën dhe u zhduk. Pra, për dallim nga çiftet e tjera, nuk u grindëm me muaj a me vite të tëra. Çdo gjë u zhvillua për pak orë. Nga çifti i lumtur martesor, që mendoja se ishim, nuk ngeli as edhe skeleti.

Krejt çka patëm u rrënua para syve tanë. Të njëjtën ditë, në mëngjes, linim përshtypjen e çiftit më të lumtur, e në mbrëmje nuk kishte mbetur asgjë nga ajo lumturi. - Zonjë, më falni, a mund t'ju pengoj pak? - një zë mashkulli më ktheu nga bota e mendimeve. E ngrita shikimin dhe pash një njeri të panjohur. Në fakt, kurrë nuk e kisha takuar, por e kisha parë në revista të ndryshme, në TV dhe në mediet e tjera. Ishte një fotograf i njohur. Asociacioni i parë që më lindi ishte ai i manekineve të Samirit. Prandaj edhe mu tharbëtua fytyra. - Urdhëroni - i thashë, e gatshme që ai të më ofendonte, apo kushedi se çka. - A mundem t'ju fotografoj për një kampanjë të re publicitare, të një shtëpie të njohur të modës? Jam në kërkim të grave reale, të bukura, të cilat janë të pjekura dhe dinë si ta mbajnë veten - më thoshte ai. - Mua doni të më fotografoni? Mua? Me tërë këtë dhjam në bel? Me flokë të çrregullta dhe me vetulla të pashkulura? (vijon)

(Kosova Sot)