Ngjarje e vërtetë: Nuk mund ta duroj vetminë (2)

  • 01 qershor 2019 - 10:34
Ngjarje e vërtetë: Nuk mund ta duroj vetminë (2)

 I hapa të gjitha ato, duke buzëqeshur me urimet dhe dëshirat e mira, e më pas, krejt papritur, hasa në këtë: "Dëshiroj për neve edhe shumë ditë dhe net të tjera kështu eksituese gjatë vitit, si dhe pritje të këtilla të vitit të ri. Më mungon pa masë. Do të mundohem që për këtë fundjavë të vij te ti. Të dua. Dani". Ndjeva sesi m'u skuqën faqet. Mezi u përmbajta që të mos bërtisja nga lumturia. Kur pashë se letrën e tij e lexova disa herë, kuptova se kisha rënë në dashuri. Mezi e prisja fundjavën. Me nervozizëm bëja ecejake nëpër peron, derisa udhëtarët, njëri pas tjetrit, dilnin nga autobusi. Në mesin e tyre vërejta edhe Danin dhe, në atë moment, zemra filloi që të më rrihte si e marrë. Vrapova dhe e përqafova dhe, përsëri, për një çast, gjithçka rreth nesh pushoi së ekzistuari. - Nuk e di për ty, por unë për veten time ende nuk kam përjetuar asgjë të këtillë më parë. Ndoshta mund të duket si deklaratë e marrë, por më duket se, me 27 vjetët e mia, për herë të parë rashë në dashuri - pëshpëriti duke më puthur. Në asnjë moment nuk dyshoja në fjalët e tij.

Pa u hamendur aspak, e çova në shtëpi, e njoftova me prindërit dhe, pas drekës së përbashkët, ia tregova shtëpinë. - Me të vërtetë jam i mahnitur, Hana. Shtëpia juaj është si një mbretëri e vogël - tha ai i entuziazmuar. - Më vjen mirë që të pëlqen. E, tani hajde ta pimë nga një kafe - thashë me modesti, duke buzëqeshur. Ato dy ditë ishin ditët më të mira në jetën time dhe do të jepja gjithçka në jetë, sikur Dani të mund të rrinte më gjatë. Por, sikur që tha ai, e prisnin obligimet në fakultet. - Kukulla ime, do të shihemi së shpejti. E, deri atëherë, natyrisht se do të dëgjohemi - më tha ai, duke u ndarë. Edhe pas largimit të autobusit, për një kohë të gjatë, mbeta e palëvizur në vendin e njëjtë. Mërzia nga shkuarja e Danit më kishte kapluar të tërën. Nuk kaluan as edhe gjysmë ore, e ai tanimë më mungonte pa masë. Të nesërmen Dani ma dërgoi një e-mail më të gjatë, me të cilin më falënderonte dhe ma shprehte dashurinë. Shkruante rreth ndjenjave të tij gjatë fundjavës, duke rikujtuar me atë rast prekjen tonë, ofshamën dhe puthjen. Duke lexuar fjalët e tij, thuajse mund ta ndjeja aromën e tij dhe, në mendime, për të njëqindtën herë përjetoja fundjavën tonë të paharrueshme. As vetë nuk e di si u durova një muaj pa e parë Danin. Është e vërtetë që komunikonim çdo ditë, por e tërë kjo ishte një hiçgjë e madhe krahasuar me atë që ne të dy e donim me gjithë zemër. - Nesër do të vij te ti - nuk u durova pa i thënë gjatë njërës prej bisedave tona telefonike. - Të lutem, mos bëj kështu shaka me mua, kur e di se unë jetoj për takimin tonë të ardhshëm - më tha paksa i pikëlluar.

- Nuk bëj shaka! Nuk mund të duroj më. Më duhet që të të shoh dhe pikë. Dhe, a di çka. Po nisem menjëherë - thashë me vendosmëri, gjë që në anën tjetër të telefonit shkaktoi një ulërimë gëzimi. Dhe, përsëri pasuan ditët për t'u mbajtur mend. Dani më çoi në banesën ku jetonte me të ëmën. Ishte ajo një grua e dashur dhe shtatshkurtër, e cila vazhdimisht kërkonte falje që nuk kishte një banesë më të madhe, që të mund të më priste si duhej. Pashë se edhe Dani diqysh ndihej në siklet për tërë këtë. - Mos u shqetësoni, zonjë! Gjithçka është në rregull. Banesa juaj, edhe pse e vogël, është tepër e rehatshme. Jam e bindur se do t'ia kaloj për mrekulli këtu - thashë me butësi. Dani dhe koha që kaloja me të, për mua kishin më së shumti rëndësi në botë. Banesa e vogël nuk mund të më pengonte në dëshirën time që ajo fundjavë të ishte vetëm jona. Dani m'i tregoi disa atraksione të qytetit, më pas dolëm për darkë.


(Kosova Sot Online)