Roman dashurie: Në kohë të duhur (5)

  • 15 November 2019 - 14:50
Roman dashurie: Në kohë të duhur (5)

lbulena u mendua. Në fillim nuk gjente lidhshmëri midis atyre meshkujve, me të cilët kishte filluar diçka, por nuk e kishte mbaruar. Por, pasi që u mendua pak kohë dhe pas bërjes së disa krahasimeve, erdhi deri te përfundimi. – Të gjithë donin të arrinin sukses në një profesion të caktuar. Del se më pëlqejnë djemtë që kanë qëllim në jetë. – Edhe ‘të llastuarit e prindërve’ kanë një qëllim në jetë. – Cilin? Që të bëhen si babai? Agimja bëri me dorë. – Më mirë t’i japim fund këtij tregimi të pakuptimtë. Do të shohim se me kë do të martohesh, e pastaj do të shohim se cila nga ne ka shije më të mirë. Edhe ashtu asnjë femër nuk e merr atë mashkull i cili është tip i saj. Kujdes, sepse mund të ndodhë që të të mashtrojë e të ta marrë virgjërinë ndonjë mashkull që aspak nuk është ashtu si e do ti. – Nuk ka mundësi.

– Ka more ka, si nuk ka?! – Nuk ka gjasa! Do të kem kujdes se me kë shkoj në shtrat, sidomos herën e parë. – Mirë, tani mendon kështu. Hajde të luajmë letra. Albulena e shikoi orën. Kishte më shumë se një orë deri në mesnatë. – Hajde. Tani do të ta kallëzoj qejfin. – Uh, sa më frikësove. KAPITULLI I PESTË Një gjysmë ore para mesnatës Ermira u përshëndet me shoqen dhe u nis për në shtëpi. Doli nga oborri i Agimes dhe u kthye që të shikonte përreth. Në rrugë punonte vetëm një dritë, kështu që tërë lagjja iu duk si e shkretë. Mori në thua në një shishe dhe mezi ia doli që të mos rrëzohej. E përshpejtoi hapin. Derisa kalonte afër trojeve të braktisura, zemra i rrihte më shpejt.

Kishte frikë të madhe. Përnjëherë iu duk sikur dëgjoi hapat e dikujt. Nuk ishte e sigurt se dikush e përcillte, por as të kthehej prapa nuk guxonte, meqë kishte frikë se do të shihte ndonjë gjë të frikshme. Por, hapat vinin duke u bërë gjithnjë e më të zëshëm, më të afërt. Ashtu si përshpejtonte Albulena hapin, përshpejtoheshin edhe hapat tjerë. Përfundimisht, e kapi paniku dhe filloi vrapin. Kishte me gjasë treqind metra deri te rruga kryesore, ku përfundonte kjo pjesë e tmerrshme e qytetit. Në atë moment vetëm donte të gjendej në mesin e njerëzve të civilizuar. Por, dikush ia ngjiti për krahun e djathtë. U mundua të ikte, por mori një goditje në fytyrë, e cila thuajse e paralizoi momentalisht. Një njeri i panjohur ia ngjiti për beli, me gjasë me qëllim që ta shpinte në një shtëpi të braktisur, aty afër. Këmbët i shkonin zvarrë. Njëra këpucë iu zbath dhe në këmbë iu ngul një copë e qelqit nga rruga. Nga dhembja e madhe volli menjëherë dhe filloi të bërtiste. Në atë moment njeriu i panjohur e gjuajti përtokë dhe vetëm ia doli të shihte sesi ai i hasej me shqelm, duke dashur ta godiste në bark. (vijon)

(Kosova Sot Online)