Ngjarje e vërtetë: Si doli në pah e vërteta që na e shkatërroi jetën (1)

  • 26 November 2019 - 15:03
Ngjarje e vërtetë: Si doli në pah e vërteta që na e shkatërroi jetën (1)

Armendi dhe unë ishim moshatarë, nga lagjja e njëjtë, shokë që nga fëmijëria, pothuajse vëllezër, ndërsa i kishim premtuar njëri-tjetrit që së bashku do ta themelonim një kompani të ndërtimtarisë, ndërsa një gjë e tillë edhe ndodhi. Së bashku kemi studiuar, argëtuar dhe ndërruar femra. Të gjitha këto deri në ditën ku për herë të parë e putha Dianën. Menjëherë e dita se ajo është e duhura për mua. Pas dy vitesh ishim tashmë të martuar. Isha 25-vjeçar kur u martova, ndërsa Diana ishte 21- vjeçare. U kënaqëm në vitin e parë të martesës, e më pas filluam të punojmë në drejtim të fëmijëve. Isha shumë lumtur kur Diana i lindi binjaket, të cilat, me kalimin e kohës po bëheshin dy kopje miniaturale të nënës së tyre të bukur. I magjepsur nga lumturia pandërprerë i thosha shokut: - Armend, gjeje më një femër dhe rehatohu. Në martesë çdo gjë është më mirë, më beso. E ke dikë me kë fle dhe zgjohesh, ndan mendimet, miqësohesh, dikë që të do dhe që e do. Me fëmijë lidhja bëhet edhe më e fortë, e kur të përqafojnë duart e fëmijëve dhe kur fëmija ta jep puthjen e parë, e përjeton një ndjenjë që nuk mund të përshkruhet.

- Me të vërtetë je romantik. Nuk ke qenë i tillë në studime, thoshte shoku im, i cili, sa më i vjetër që po bëhej, po aq më shumë i preferonte vajzat më të reja, madje edhe bënte shaka në llogari të tyre. –Mos u mërzit ti për mua. Edhe unë i dua fëmijët, por që janë të rritur. - Je i tmerrshëm, ishte gjithmonë përgjigjja ime, edhe pse e dija që sjellja e tij ndaj meje dhe në shoqëri ishte e tillë për t’i argëtuar dhe intriguar bashkëbiseduesit. –Kur t’i kesh fëmijët e tu, do ta shohësh se çfarë të ka munguar. - Për atë arsye nuk i kam. Me këso biseda të pafrytshme kalonin vitet, por një ditë shoku im 35-vjeçar më ftoi në pije në kafenenë e afërt dhe më tregoi sesi e kishte gjetur femrën e duhur për të. Më duhet të pranoj se me të vërtetë u çlirova kur e dëgjova atë lajm. - Mirë, së paku nuk është fëmijë, thashë unë kur dëgjova që ajo është dhjetë vjet më e re se ai. Por, pasi që e përmende, a do të thotë kjo se edhe unë dhe Diana do të njoftohemi me të? - Shoku im, jo vetëm që do të njoftohesh, por do të jesh edhe dëshmitari im i martesës, tha ai, dhe u ngrit në këmbë në stilin e tij, paksa teatral, i hapi duart duke pritur përqafimet dhe urimet e mia. Edhe unë u ngrita, e përqafova, e urova dhe u ktheva në karrigen time me buzëqeshje në fytyrë, por ai mbeti në të njëjtën pozitë me duar të hapura. –E tani më uro sërish, sepse pas gjashtë muajsh do të bëhem baba. Gazmend, të gjitha ëndrrat tuaja po realizohen, tha duke qeshur.

- E vërtetë Armend, por duhet ta pranosh se janë edhe tuat, i thashë duke e përqafuar edhe me më shumë gëzim. –Më vjen mirë që të ka bërë për vete, i thashë duke e shtrënguar, përzemërsisht, sinqerisht. –Organizoje një takim për fundjavë. Për shembull, mund të vini te ne për drekë. - Do të të lajmëroj, më tha. –Tani më duhet të shkoj me Bletën në ultrazërin e parë. Mezi po pres, tha me zë të hollë derisa po tallej edhe në atë llogari. - Vetëm tallu ti. Por, e di që në fakt nuk je i tillë. Të duhet vetëm që të relaksohesh, t’u ofrosh hapësirë ndjenjave tua dhe ta ndërpresësh aktrimin e burrit dhe joshësit. Në fakt, unë gjithmonë kisha besuar që Armendi ishte njeri i ndjeshëm, edhe pse kurrë nuk preferonte që të flasë për ndjenjat e tij, ai bënte shaka në lidhje me to, nganjëherë madje edhe me detaje vulgare. E mu për atë arsye që aktronte burrin dhe komikun femrave u pëlqente edhe më shumë. Por, ajo pjesë tjetër e jetës së tij nuk më interesonte shumë, përveçqë dëshiroja që të ndërpritej. - Dianë, kam një lajm të mrekullueshëm, thashë posa hyra në shtëpi. - Thuaje, tha duke më shikuar sepse me qëllim prita pak, për ta tensionuar situatën. - Qëlloja kush po martohet?! - Armendi, tha menjëherë Diana. - Si e dite?, e pyeta unë i befasuar. - E cili prej shokëve tanë ka mbetur i pamartuar?, tha ajo. - Ke të drejtë, i thashë i gëzuar, por e vërejta që ajo nuk e ndante të njëjtin gëzim me mua. - Nuk të vjen mirë ty?, e pyeta. - Natyrisht që më vjen mirë, i ka ardhur koha. Më pas biseduam edhe pak në lidhje me hollësitë dhe i thashë se i kam ftuar Armendin dhe Bletën në drekë. Por, tërë kohën e pyesja veten pse gruaja ima nuk u gëzua kur e dëgjoi lajmin. Pasi që e njihja mirë, prisja që, kur ta dëgjojë atë, do t’i telefononte Amendit për ta uruar dhe për ta ftuar te ne. Por, një gjë e tillë nuk ndodhi. /Vijon

(Kosova Sot Online)