Roman dashurie: Punë fati (32)

  • 18 February 2020 - 15:13
Roman dashurie: Punë fati (32)

Inspektori pohoi me kokë. - Më tregoni edhe mua. Të paktën ta di sa e rëndësishme është ajo gjë që i ka shtyrë që ta bëjnë invalid për tërë jetën. Inspektori për një moment u hamend. - Zonjushë, e dini? Kjo ende është informatë e besueshme dhe nuk do të duhej t'ua thosha. - Ju lutem më tregoni. Unë edhe ashtu nuk kam kujt t'i tregoj dhe, nesër-pasnesër do ta marr vesh nga gazetat. Por, meqë bëhet fjalë për mua dhe për njeriun, me të cilin jam, do të duhej të më besonit. Vetëm dua ta di arsyen. Ai ofshau, sikur njeriu kur dorëzohet. - Në rregull, por ua tërheqë vërejtjen që askujt nuk guxoni t'i tregoni, derisa informata të bëhet publike. Askujt, bile as njerëzve më të afërt. - Të qartë e kam. - Kundër tij kanë shtënë për arsye politike. Çuni ka filluar hetimet dhe ka çuar pluhur kundër një njeriu me pushtet. Në fakt, Çuni ka gjetur dëshmi se ai njeri iu ka dhënë ryshfet disa zyrtarëve të partisë së Çunit, në mënyrë që ata, falë postit të tyre, t'ia mundësonin importimin e një sasie të madhe të mallit, pa paguar tatim.

Për fatin e keq të tij, Çuni nuk donte t'i komprometonte publikisht ata zyrtarë, të cilit i njihte mirë. Megjithatë, ata i kishte partnerë të partisë dhe ai i shihte ata si njerëz seriozë, të martuar, të cilët kishin gabuar njëherë, për shkak të babëzisë. Për këtë shkak, ai i kishte ftuar ata njerëz dhe, në një mënyrë diskrete, iu kishte kërkuar që të tregonin krejt çka të dinin rreth kësaj çështjeje dhe të mos merren më me gjëra të tilla. Ata njerëz, të vetëdijshëm se do të humbnin shumë para në rast se do ta spiunonin një biznesmen aq të fuqishëm, si dhe të vetëdijshëm se Çuni ishte një lojtar i fortë dhe i rrezikshëm, i cili nëse nuk do ta dëgjonin, gjithçka do ta bënte publike, iu drejtuan atij biznesmeni, i cili në fakt ishte kriminel, i cili kishte paguar këta djemtë që ta sulmonin Çunin, por me kusht që të mos e vrisnin, meqë vrasja do të çonte tepër pluhur, e cila do të mundte ta nxirrte në shesh. Ai iu kishte thënë vetëm t'ia "ngrehnin veshin" dhe ata kanë bërë atë që iu ka thënë ai. - Inspektor, si e morët vesh tërë këtë mesele?

Si i lidhët këto të dhëna? - Nuk ka qenë e lehtë, por kemi pasur një fat të madh, për shkak se njëri nga njerëzit e korruptuar kishte ndier brejtjen e ndërgjegjes, prandaj erdhi te ne dhe na i tregoi të gjitha. Ai konfirmoi se gjithçka ishte porositur nga ana e biznesmenit në fjalë, i cili edhe atij i kishte dhënë ryshfet që, në një truall të tij, të mbante mallin e padoganuar. Më pas ne bëmë hetime rreth atij biznesmeni dhe i gjetëm njerëzit që i bëjnë punët e pista për të. Dhe, ja ku i kemi zënë. (vijon) 


(Kosova Sot Online)