Roman dashurie: Atëherë kur më së paku e pret (15)

  • A.P /
  • 21 shtator 2020 - 16:00
Roman dashurie: Atëherë kur më së paku e pret (15)

Dy ditët e tjera kaluan fluturimthi, duke pritur natën, në të cilën do t'i lëshohesha dashurisë së Drenit dhe pa fund po kënaqesha me kujdesin që ma bënte Dreni. Do të darkonim dhe do të shkonim në shëtitje të gjata, do të gjenim ndonjë vend të fshehtë dhe do të putheshim derisa të mbeteshim pa frymë. Do të kthehesha në dhomë dhe do të shikoja buzët e mia që ishin të skuqura, të cilat kishin dhënë dhe pranuar gjithë ato puthje. Ishte tepër e lumtur, po fluturonte, po buzëqeshte e veten e saj e kishte kapur duke menduar njëjtë sikur atëherë kur ishte dashuruar për herë të parë, në moshën pesëmbëdhjetë vjeçe. Më saktë, nuk po mendonte për asgjë. Më pas pasoi dita e fundit e qëndrimit të saj në banjë. Gjithë ditën po qëndronte në gjilpëra, duke e ditur se në mbrëmje nuk do ta takojë më dhe se do ta pyeste veten e saj nëse e gjithë kjo kishte qenë një ëndërr e bukur, të cilën e kishte jetuar dhe përjetuar dhe se ndoshta e mira më në fund mund të vazhdonte. Gjatë asaj mbrëmje ishte mjaft e disponuar, por kur më pa kishin dalë për shëtitje dhe ishin ulur në një bankë për të pushuar, e kishte kapluar një lloj pikëllimi për ndarjen midis tyre.

Dreni e kishte vërejtur shumë mirë këtë. - Përnjëherë më je me disponim të keq. A mos ki të ftohtë? - Me ty kur jam jo, nuk kam të ftohtë. - Atëherë, më thuaj shpirti im, çfarë ke? - Më vjen keq që po shkoj nesër! - Edhe mua më vjen keq, por shumë shpejt edhe unë do të shkoj në shtëpi dhe do të shihemi përsëri. - Këtë e di, vetëm ... Nuk dinte si t'ia tregonte ato që i kishte dhe i ndjente në zemër. Si t'i thotë se në shtëpi do ta ndjejë mungesën e tij, se ndoshta për të kjo ishte vetëm një aventurë më shumë, një aventurë e ëmbël, pasi që netët i kishte të zbrazëta dhe të mërzitshme dhe iu desh t'i mbushte disi, mbi qiellin e ngrysur të vjeshtës. Si t'ju thotë në shtëpi se në banjë kishte krijuar një imagjinatë të bujshme me një njeri. - Çfarë? Ma thuaj se çfarë të mundon? - Asgjë. - Jo, duhet të ma thuash, nuk dua asgjë të fshehësh prej meje. - Paj, asgjë. Me të vërtetë asgjë. Filloi ta puthte me pasion dhe kështu ia ndaloi të gjitha pyetjet e tij që kishte për t'ia bërë. Nuk kishte të drejtë ta ngarkonte pas një njohje aq të shkurtë me të ardhmen e tyre. Thjesht i duhej të pajtohej me atë që do të ndodhte apo që nuk do të ndodhte. E dinte se të nesërmen do të vajtonte dhe do të vuante, do të shpresonte dhe zhgënjehej.

Kur e kishte përcjellë deri në hotel, sipas zakonit e kishte kapur për beli dhe kishte filluar ta puthte. - Mu lajmëro porsa të arrish në shtëpi. E kur të kthehem unë të dërgoj në vendin ku bëhet vera më e mirë, te një mik imi që e menaxhon një restorant. - Bën. - Kjo banjë për mua që nga nesër mbetet pa shkëlqim. Po kënaqej me fjalët dhe puthjet e tij. Kishte sjellë vendimin rreth të cilit po thyhej gjithë mbrëmjen. - Do të doja të dhuroj diçka kur po ndahemi. - Po flet thuajse nuk do të takohemi më, Gabe, kam përshtypjen se po fsheh diçka prej meje. - Jo, me të vërtetë dua të dhuroj diçka. - Çfarë? - Veten time. U shikuan, e kjo mjaftonte që të kuptoheshin. Ishin nisur së bashku në drejtim të derës së hotelit, dorë për dore. (Vijon)

(Kosova Sot Online)