Ngjarje e vërtetë: Si e bëra për vete vjehrrin tim të ardhshëm (1)

  • 29 nëntor 2020 - 15:31
Ngjarje e vërtetë: Si e bëra për vete vjehrrin tim të ardhshëm (1)

Kurrë nuk kisha besuar se do ta thosha këtë, por mirësia e burrit tim, Krenar, me të vërtetë më ka ndryshuar. Deri tash vonë, gjithmonë thosha se askujt kurrë nuk do t'i arsyetohesha për veprimet e mia, por për shkak të mënyrës sesi e kisha lënduar, për një kohë të gjatë nuk kam mundur që ta shikoj veten në pasqyrë. Falë faljes së tij, tani jam duke përgatitur drekën tonë të parë festive, meqë këto janë festat e para të cilat jemi duke i kaluar si çift bashkëshortor. Para se ta njihja, nuk kisha dilema morale, meqë mendoja se nga jeta duhet të marrim krejt atë që na e ofron. Ndaj meshkujve isha e pashpirt. Pa asnjë ndjenjë nga ta merrja tërë atë që më duhej, e kur më mërziteshin, i shqelmoja. Ndaj asnjërit nga ta nuk kisha ndier nevojën që të jepja ndonjë shpjegim, e lëre më që të mendoja rreth ndjenjave të tyre.

Në ato momente mendoja se as nënës sime asgjë nuk i kishte ndihmuar fakti që ishte gjithmonë e vëmendshme ndaj babait tim. Sikur ai t'i thoshte t'ia mbërrinte një yll nga qielli, ajo e gjora do të zgjatej me tërë mundin e saj, për t'i mbërritur yjet në qiellin e largët. Por, në fund, ai e la atë për një femër më të re. Më saktësisht, na braktisi të dyja neve, nënën dhe mua. Kisha vetëm tetë vjet kur nëna dhe motrat e saj mundoheshin ta zbusnin largimin e tij, por isha tepër e vogël dhe nuk mund të pajtohesha me faktin që babai nuk më donte më.

Me kalimin e viteve gjeta rrugën time, punova shumë derisa ia arrita qëllimit - ta kisha lokalin tim në pjesën elitare të qytetit. U përpoqa edhe të studioja, por nuk më shkoi. Paratë, zoti i vetëm të cilin e njihja, mund t'i fitoja vetëm nëse punoja me mund. Edhe derisa isha vajzë e vogël shisja e stërshitja mall të ndryshëm, derisa në llogarinë time nuk u grumbullua një shumë e konsiderueshme parash, e mjaftueshme për t'ia filluar biznesit tim. Vetëm pasi që e lëndova Krenarin dhe ngela pa të, kuptova se, deri atëherë, kisha jetuar pa emocione, pa një dashuri të cilën vetëm një mashkull mund të ta ofrojë. Natyrisht, asokohe kishte shumë djem të interesuar që të rrinin me mua, me një femër të re e të suksesshme, e cila, përpos kësaj, ua plotëson edhe dëshirat.

E, unë isha dorëlirë. Paratë nuk ishin problem për mua dhe kënaqesha duke i poshtëruar meshkujt, duke parë sesi ata ishin të gatshëm që të bënin gjithçka, për një palë rrobash të shtrenjta, apo që në lokalin tim të ndiheshin si zot shtëpie. E dija se mjaftonte që ta përmendja martesën, e ata të pranonin me gjithë qejf, meqë isha "copa" e duhur. Isha mjaft e pasur, sa që burri im i ardhshëm të jetonte pa probleme me mua, e edhe mjaft e angazhuar me punë, sa që të mos kisha kohë të merresha me thashetheme.

Por, për dëshpërimin e tyre, nuk isha e marrë. I lexoja me lehtësi që në fillim, e dija se ata ishin meshkuj me të cilët do të përfundoja sikur nëna ime, prandaj ndaj tyre nuk kisha emocione. Luaja me ta, ua plotësoja ndonjë dëshirë dhe, më pas, i lija. Fundja, mendoja atëherë, më mirë është që unë t'i lëndoja ata, sesa ata mua. Krenarin e takova në ditëlindjen e mikeshës sonë të përbashkët, Saranda. Që nga momenti i parë kuptova se ai ishte ndryshe nga të tjerët. Ishte i qetë, jo imponues, gati aspak nuk binte në sy. Vetëm ai, në tërë atë tollovi, nuk kishte pantallona të markave të njohura, e as nuk kishte vënë ndonjë parfum të shtrenjtë. I veshur me modesti, ai qëndronte ulur në një kënd dhe shikonte sesi miqtë e tij argëtoheshin. Njërin nga ta, biondin Lirak, e njihja tanimë. Gjithmonë ishte i pranishëm në të gjitha ndejat e mira. I pacipë dhe i pashpirt, shpesh ndërronte të dashurat, ku secila nga to ishin ose lavire, ose vajza të llastuara të qytetit. Edhe mua disa herë më kishte çuar në restorante të shtrenjta, por shpejt më ishte mërzitur.

Dhe, ai kurrë nuk ma kishte falë faktin që, në vend se me të, nga një ndejë kisha dalë bashkë me shokun e tij. Më pas ai ishte munduar të më bënte për vete, më kishte thirrur, por unë nuk ia kisha vënë veshin. Më pas e kisha parë në restorant me një të dashur të re, gjë që më bëri të argëtohesha mirë e mirë. Meqë qëllimi ishte tepër evident, të më bënte xheloze dhe ziliqare dhe të më tregonte se mund ta kishte kë të donte. Në vend të shpërthimit të zemërimit, gjë që ai me gjasë e priste, me anë të kamerierit unë ua dërgova nga një pije të shtrenjtë. (vijon)

(Kosova Sot Online)