Ngjarje e vërtetë: Edhe pse jam e ve, kam të drejtë në dashuri (8)

  • E.K /
  • 10 March 2021 - 15:46
Ngjarje e vërtetë: Edhe pse jam e ve, kam të drejtë në dashuri (8)

Mundohesha që t'ia shpjegoja Ilirianit se në çfarë dileme gjendesha dhe, në fillim, ai këtë e pranoi me një mirëkuptim të theksuar. Shpresonim se ajo do të qetësohej pasi që do ta kalonte tronditjen e parë, por kjo nuk ndodhi. Ajo u bë nervoze, irritabile, bile edhe zemërligë. Thjesht më ngacmonte me kërkesat dhe posesivitetin e saj. Gjithnjë e më tepër më luste për ndihmë në shtëpi, që t'ia ruaja vajzën gjatë fundjavës, që ta çoja në orët e gjuhëve të huaja. Unë e adhuroja mbesën time, por kuptova pse e ëma e saj vepronte kështu. Dhe, ajo ia doli me qëllimet e veta. Ndryshimet e mia filluan që ta nervozonin Ilirianin. Këtë ai ma tha haptazi dhe kërkoi nga unë që, në disa gjëra, të kisha qëndrim më të fortë.

E kishte lehtë ai të thoshte kështu. Ai i kishte fëmijët larg, nuk kishte kurrfarë obligimesh. E unë, tërë jetën isha në shërbim të familjes sime. Është vështirë kur ndryshon një gjë e tillë. e dija se ai kishte të drejtë, por nuk mund ta injoroja vajzën time. Në këtë gjendje kaloi edhe vera dhe erdhi një vjeshtë e mrekullueshme, e hershme. Iliriani tani e një kohë të gjatë ëndërronte që të shkonim bashkë në Egjipt dhe në një agjenci gjeti një ofertë me çmime të volitshme. I gëzohej kësaj vizite sikur të ishte fëmijë. Unë qysh tani kisha frikë se si do të reagonte vajza ime. Reagimi i saj ishte më i keq sesa që kisha marrë me mend. Në opsesionin e saj të marrë që të më ndante nga Iliriani, ajo shkoi aq larg, sa që e thirri në shtëpi.

Nuk e di se çka kishte planifikuar t'i thoshte, por për fatin, apo fatkeqësinë time, në telefon u paraqit Iliriana. Sesi rrodhi ajo bisedë kurrë nuk e mora vesh, por me pasojat e saj u ballafaqova mirë e mirë. Iliriana ishte e njoftuar mirë me situatën time dhe të Ilirianit. Ajo me mjeshtëri e kishte joshur vajzën time në shtëpinë e tyre. E verbëruar nga zemërimi se Iliriani kishte marrë guximin që të mendonte se mund ta zinte vendin e babait të saj, ajo kishte shkuar atje me qëllim që të takohej me Ilirianin dhe t'i ndante dhentë-dhish njëherë e mirë. Në vend të tij e priti Iliriana, e cila i ofroi kafe dhe i tha që t'i tregonte se çka kishte për t'i thënë. Vajza ime budallaqe filloi që të fliste nga lartësia, sesi nuk do ta lejonte askënd që të vendosej në shtëpinë e babait të saj.

Dilte sikur Iliriani ishte një njeri i babëzitur, i cili donte që të përfitonte nga naiviteti im, për ta marrë shtëpinë të cilën e kishte ndërtuar i ati i saj. Por, nuk ishte folur vetëm për të mirat materiale, por edhe për statusin shoqëror dhe kushedi për çka tjetër. Iliriana e kishte dëgjuar me vëmendje, e më pas e kishte përplasë për toke. - Shiko vajzë, tani është radha ime që të flas, t'i them dy-tri fjalë, të cilat nuk ia kam thënë kujt deri tani, qoftë nga turpi, apo nga frika. Sikur yt atë të ishte një qenie aq e ngritur moralisht, atëherë ti dhe unë sot nuk do të ishim duke e zhvilluar këtë bisedë, por me ty do të bisedoja si njerka jote, të paktën si nëna e vëllait, apo motrës tënde nga babai.

Yt atë ishte një person egoist dhe narcizoid, i cili ia bënte qejfin vetëm vetes së vet. Ajo që është edhe më e keqe, ai dinte ta fshihte këtë shumë mirë. njerëzit e donin, meqë nuk e njihnin, por unë dhe nëna jote më së miri e dimë se kush ishte ai. Apo, thënë më mirë, unë di më shumë, meqë isha dashnorja e tij. ajo rrinte në shtëpi dhe përkujdesej për ju, derisa ai bënte një jetë të dyfishtë. E di se nga ana ime nuk ishte mirë, por nuk e kisha as lehtë. E re dhe naive, unë e adhuroja atë. Ai e shfrytëzoi rininë time, namin dhe pozitën e vet. (vijon)

(Kosova Sot Online)