Analisti del me konstatim: Partitë që mbledhin 61 nënshkrime e kanë të drejtën për ta themeluar Qeverinë e Kosovës

Analisti del me konstatim: Partitë që mbledhin 61 nënshkrime e kanë të drejtën për ta themeluar Qeverinë e Kosovës
Analisti del me konstatim: Partitë që mbledhin 61 nënshkrime e kanë të drejtën për ta themeluar Qeverinë e Kosovës

Nue Oroshi

  • 13 June 2026 - 07:45

Shkruan: ANALISTI-Nue Oroshi

Unë mendoj se LDK është duke u luhatur në mes të dy shkëmbinjve dhe një deti të kthjellët në mes për ta gjetur rrugën e humbur. LDK ka kohë që nuk është në nivelin e një partie të madhe dhe shkaqet tashmë dihen. Vërtet, t’i gëzohesh 18 përqindëshit për një parti që është ideatore dhe bashkëthemeluese e Republikës së Kosovës, së bashku me partitë e tjera shqiptare, nuk është për t’u gëzuar shumë.

 

-LDK rikthimin e madh do ta bëjë kur t’i realizojë dy gjëra:

Pajtimin e madh në mes të udhëheqësve të saj, duke ia pranuar njëri-tjetrit vlerat e mirëfillta dhe kontributet që i kanë dhënë Kosovës dhe LDK-së vite me radhë, si dhe duke ia falur njëri-tjetrit edhe ndonjë gabim që e kanë bërë gjatë rrugëtimit të përbashkët politik.

LDK do të rritet dhe formësohet kur në gjirin e saj të afrojë veprimtarët që kanë kontribuar brenda saj, si dhe të afrojë familjet e shumë veprimtarëve atdhetarë, si në Kosovë ashtu edhe në mërgatë, të cilët kanë qenë shtyllat kryesore vite me radhë, e në veçanti gjatë viteve 1989–1999. Natyrisht se këta nuk do të kthehen të gjithë, por oferta duhet t’u bëhet.

Në fakt, LDK është rritur në përqindje dhe në numër deputetësh, por jo edhe në vota. Kjo ka ardhur edhe si pasojë e bojkotit që elektorati i Kosovës ua ka bërë të gjitha partive politike. Por LDK është rritur për pesë deputetë falë mosdaljes së madhe në zgjedhje dhe kjo mund t’i shërbejë për një pozicion më të mirë në rast të ndonjë marrëveshjeje bashkëqeverisëse.

Unë mendoj që edhe Vjosa Osmani, edhe Lumir Abdixhiku duhet të bëjnë përpjekje që ta japin kontributin e tyre për themelimin e institucioneve të Republikës së Kosovës. Por, nëse fituesi i zgjedhjeve do të zgjedhë një partner tjetër, LDK duhet ta kuptojë këtë veprim të Albin Kurtit dhe t’i hyjë ristrukturimit dhe forcimit të LDK-së nëpër qytete e fshatra, duke takuar elektoratin e pakënaqur dhe të fjetur të saj.

Qëndrimi në opozitë nuk është fundi i botës, por edhe mosmarrja e një pozite të ëndërruar nuk është gjithçka.

Mendoj që LDK duhet të jetë e gatshme që, nëse VV fillon prapë me lojëra politike për ta zvarritur themelimin e institucioneve të Republikës së Kosovës, të jetë e gatshme që t’i japë 20 nënshkrime për themelimin e Qeverisë së Kosovës edhe pa VV-në.

Kjo mund të arrihet në bazë të rezultateve të 7 qershorit, ku partitë që mbledhin 61 nënshkrime automatikisht e kanë të drejtën për ta themeluar Qeverinë e Kosovës. Nëse partitë opozitare i mbledhin 61 nënshkrime, as ushtruesja e detyrës së Presidentit nuk ka të drejtë ta refuzojë. E kjo mund të bëhet vetëm nëse partia e parë, VV, dështon në formimin e Qeverisë së re të Kosovës.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".