Ngjarje e vërtetë: Si më lëndoi mashkulli të cilin me të vërtetë e doja (2)

  • E.K /
  • 13 March 2021 - 15:40
Ngjarje e vërtetë: Si më lëndoi mashkulli të cilin me të vërtetë e doja (2)

Edhe kolegët në punë kishin vërejtur sesi me mua ishte duke ndodhur diçka. I rrejta duke iu thënë se kisha probleme familjare, meqë nuk kisha nevojë për keqardhjen e askujt. I vetmi person të cilit ia tregova të gjitha, ishte motra ime Saranda. Gjithmonë kishim qenë të afërta dhe kurrë nuk mbanim sekrete ndaj njëra-tjetrës. - Nuk mund të besoj që Jonuzi mundi të ta bënte këtë. Lidhja juaj më dukej aq serioze. A ke tentuar që të bisedosh me të? - e pyeti. - E, për çka do të bisedonim ne të dy? Rreth asaj se a ka bërë dashuri me atë gruan tjetër? - e pyeta me sarkazëm. 

Gane, nuk duhet të jesh e këtillë. E di se je e zemëruar dhe e lënduar, por ndoshta mu për këtë shkak do të duhej të bisedoje me të. Mua nuk mund të më mashtrosh, meqë e di sesa e do. Nëse asgjë tjetër, të paktën pyete ku ke gabuar, që ai u desh të të mashtronte aq pacipërisht me një femër tjetër - më shpjegoi me qetësi. - Çka? Unë kam gabuar? Ti me të vërtetë nuk je normale. A je me mua, a me të? - ia dola që ta pyesja. - Nuk ke nevojë që të zemërohesh menjëherë. Vetëm të propozova, e ti bëj si të duash. Por, sikur të isha në vendin tënd, do të doja t'i qëroja hesapet para se të çoja dorë nga gjithçka - shtoi duke rrudhur supet. - Mirë, mirë… Por, çka mendon që sot të dalim në qytet? - thash duke e befasuar edhe veten. 

Le të shkojë Jonuzi në djall të mallkuar! Edhe ashtu, ai është një zuzar i mallkuar! Dua që të relaksohem pak dhe të harroj gjithçka - thash me vendosmëri, derisa Saranda më shikonte duke mos mundur të besonte. - Në rregull, nëse me të vërtetë dëshiron kështu, por nuk mund të qëndrojë gjatë. Ti e di se nesër në mëngjes më duhet që të shkoj në punë. Përnjëherë nuk mund ta njihja veten. Pasi që e përcolla Sarandën, pash se me sa interesim mendoja rreth asaj se çka do të veshja. Në fund vendosa për një fustan të kuq, sfidues, i cili më rrinte për mrekulli. Doja që të shkëlqeja, nëse rastësisht do ta takoja Jonuzi. Ëndërroja sesi ai do të më luste që t'i kthehesha.

Edhe pse e dija se isha duke e tepruar, nuk mundesha t'i largoja ato ide. Mendimet në të cilat Jonuzi më luste që ta falja, ishin ushqimi i vetëm për krenarinë time të lënduar. Megjithatë, isha përbetuar se më nuk do ta derdhja as edhe një lot të vetëm për të. Nuk e meritonte ai një gjë të tillë, mendoja. Por, thellë në vete e dija sesi isha duke e mashtruar veten, meqë, përkundër të gjithave, vazhdoja që ta doja ende. Doja që ta lëndoja ashtu sikur ai që më kishte lënduar mua. Dhe, doja që edhe ai ta shijonte vuajtjen - ky ishte qëllimi im ditëve të fundit. E thelluar në mendimet e mia, për disa momente nuk isha e vetëdijshme rreth sirenës së automobilit të Sarandës para ndërtesës sime. O, Zot! A isha duke u çmendur?! Plotësisht kisha humbur konceptin e kohës, mendova duke ia bërë me dorë nga dritarja.

E hodha shikimin e fundit në pasqyrë dhe, e kënaqur, rrapëllova derën duke dalë. Plani i sëmurë filloi të më sillej nëpër kokë. Pasi që arritëm në kafenenë tonë të preferuar, aty pamë se mbretëronte një tollovi e madhe, kështu që mezi arritëm ta gjenim një tavolinë të lirë. Nëpër tollovi ndiqja Sarandën, kur papritmas ndjeva një dorë mbi supin tim. - Hej, bukuroshe? A ke vendosur sot që, për ndryshim, të argëtohesh e vetme? - dëgjova një zë i cili disi mu duk i njohur. U befasova kur, pasi që e ktheva kokën, u gjeta sy më sy me shokun më të mirë të Jonuzit, Muharremin. Ndjeva sesi zemra filloi të më rrihte më shumë, meqë isha e bindur se edhe ai, Jonuzi pra, duhej të ishte diku aty. Fillova që të shikoja përreth, duke e kërkuar Jonuzin me sy. (vijon)

(Kosova Sot Online)