Roman dashurie: Shumë larg shtëpisë (18)

  • A.P /
  • 14 March 2021 - 18:20
Roman dashurie: Shumë larg shtëpisë (18)

Adelinës nuk i kujtohej t'i kishte thënë të ëmës që të mos vinte në lojëra, por i dukej se, megjithatë, një gjë e tillë ishte diçka që ajo dikur ishte në gjendje ta bënte. Ajo e arsyetonte veten me faktin se ishte adoleshente. Asaj as që i pëlqente futbolli aq shumë, por e shfrytëzonte atë si arsyetim për të dalë jashtë shtëpisë. Pjesa më e madhe e aktiviteteve të saj pas shkollës motivoheshin nga dëshira që të qëndronte sa më pak në shtëpi. Asaj kurrë nuk i ishte dukur se mund të ishte vetvetja aty; në shtëpi gjendej gjithmonë ndokush për ta kritikuar shijen e saj për libra, apo për ta bërë të ndihej ndryshe nga pjesa tjetër e familjes. Për Adelinën, shtëpia kurrë nuk ishte ajo parajsa që do të duhej të kishte qenë. Teuta filloi ta lexonte një recetë për tortë. "Çka dëshiron që të bëj unë?", pyeti Adelina.

"Le të shoh se çka është më lehtë", u përgjigj ajo, duke e analizuar me sy recetën. Adelina ofshau. Me apo pa dashje, ajo ishte lodhur nga shpërfillja. "Mund ta bëj të tërën, nënë. Nuk do të ishte kjo torta e parë që do ta bëja". Teuta ngriti njërën vetull lartë. Kjo ishte risi për të. "Mrekulli. Mund të ma bësh kremin, atëherë". Ajo ia dha asaj enën dhe rrahësen e vezëve, para se të shkonte për t'i marrë përbërësit. "Pra, kush të mësoi të bësh torta?", e pyeti Teuta. "Më mësoi dikush". "Dikush? A në ndonjë emision TV, a? E kam parë një emision të tillë. Nuk i njihja gjysmën e përbërësve ushqimorë që i përdornin. Dua të them, çka hamami ka rëndësi gluteni"? "Ishte vjehrra ime ajo që më mësoi të bëj torta", tha Adelina, duke injoruar pjesën e dytë të pyetjes së nënës së saj. Teuta u ndal për një çast. Adelina e kishte ditur se kjo që tha nuk do t'i pëlqente aspak nënës së saj, por megjithatë kishte ndier nevojën t'ia thoshte. Teuta vendosi miellin në enë, por në sy i shihej se ishte nervoze. Për më shumë, ishte e habitur dhe e befasuar. "E, kur ashtu... u bëre me vjehërr"?, e pyeti ajo me zë të qetë. "Gjashtë vjet e gjysmë më parë". "Nëse je e martuar, atëherë ku e ke unazën e martesës"?, tha Teuta, duke ia shikuar duart. "Dhe, ajo që ka më shumë rëndësi, ku e ke burrin?" Adelina ndjeu një tendosje që ia kaploi tërë trupin. "Nuk jam e gatshme ta diskutoj këtë temë". Pa marrë parasysh sa mundohej, Teuta nuk mund ta qetësonte veten. Sikur të mos kishte mjaftuar fakti që Adelina i kishte përjashtuar ata nga jeta e saj për kaq shumë kohë, por që të martohej me dikë, pa e marrë mundin që t'i njoftonte prindërit? Athua, çka tjetër mund të ketë bërë ajo? Teuta mori enën e miellit dhe e la në vend, duke dalë nga dhoma pa thënë më asnjë fjalë. E, Adelina kishte mbetur me rrahësen në dorë, duke mos ditur a të vazhdonte, apo jo.

Edhe pse ajo nuk ishte ende në gjendje që të diskutonte rreth Markut, ajo nuk donte që t'i varroste më të gjitha emocionet e saj. Ajo kishte nevojë që ta fillonte njëfarë dialogu me të ëmën, pa marrë parasysh sa shqetësues mund të ishte ai. Adelina e gjeti të ëmën në dhomën e prindërve. Ajo qëndronte ulur, me një qëndisje në dorë. Adelinës i bëri përshtypje pamja e dhomës, e cila nuk kishte ndryshuar aspak gjatë këtyre shtatëmbëdhjetë viteve. Dhoma ishte e pastër dhe e rregulluar ku kishte vend për çdo gjë dhe çdo gjë ishte në vendin e vet. Duket se nevojën për rregull ajo e paska trashëguar nga e ëma. Duke trokitur në derën gjysmë të hapur, ajo tha: "Nënë, a mund të bisedojmë?" "Gjithsesi, bijë", u përgjigj e ëma. "Heshtja jote më ka shurdhuar". "Më vjen keq që të kam lënduar. Me të vërtetë. Më fal". (vijon) 


(Kosova Sot Online)