Ngjarje e vërtetë: Si më lëndoi mashkulli të cilin me të vërtetë e doja (5)

  • E.K /
  • 16 March 2021 - 15:48
Ngjarje e vërtetë: Si më lëndoi mashkulli të cilin me të vërtetë e doja (5)

Këtë mbrëmje ndërruam vendin e argëtimit dhe, në vend se në kafenenë ku shkonim zakonisht, shkuam në një kafene të re, në anën tjetër të qytetit. Ishte Saranda, e cila insistoi për këtë dhe unë pranova. Pak më vonë, derisa isha duke vallëzuar gjysmë e dehur, e ngjitur për trupin e Tonit, i isha falënderuese që ma kishte mbushur mendjen që të vinim këtu. Toni ishte një mashkull shumë i bukur, por mua nuk më interesonte pamja e tij. Sa për mua, ai mund të ishte edhe i trashë e i shëmtuar. E vetmja gjë që më interesonte ishte që ai të binte pre e joshjeve të mia, e kur më pas ta merrja atë që dëshiroja, lehtë do ta kisha që ta hiqja qafe. Edhe pse Toni donte të dinte diçka më shumë rreth meje, unë nuk isha në disponim që të flisja. Prisja momentin e duhur që t'i propozoja të shkonim te unë.

Gjatë tërë kohës ai më përpinte me shikim dhe nuk dyshoja aspak se ishte vetëm çështje kohe kur do të përfundonim në shtrat. Do t'ia dilja edhe kësaj here, e Jonuzi le të shkoj në djall të mallkuar, mendoja. Nuk gabova në vlerësimin tim. Nuk kaloi as edhe një orë dhe unë gjendesha në banesën e Tonit, apo thënë më saktë, në shtratin e tij. Toni ishte një dashnor shumë i mirë. Edhe pse u mundua me gjithë shpirt që të më kënaqte, të gjitha përpjekjet e tij ishin të kota. Sado pabesueshëm që mund të duket, kënaqësia seksuale nuk ishte shkak pse e bëja këtë.

Në fakt, kënaqësia më e madhe ishte se, duke vepruar kështu, isha duke iu hakmarrë Jonuzit pak e nga pak. Ditët kalonin e unë vazhdoja me dalje dhe me ndërrim të meshkujve. Dukej se Saranda kuptoi se çka ishte duke ndodhur dhe gjithnjë e më rrallë më bënte shoqëri. Edhe pse nuk isha e vetëdijshme për këtë, isha duke sharruar gjithnjë e më thellë. E kisha humbur në tërësi dinjitetin dhe aspak nuk zgjidhja meshkujt me të cilët shkoja në shtrat. Nuk lodhesha për të menduar se a ishin ata të ri, të vjetër, apo edhe të martuar. Kur pija disa pije, krejt rrafsh e kisha.

Duhej ta dija se lajmet e mira përhapen shpejt, por ato të këqijat edhe më shpesh. Ky ishte një qytet i vogël dhe thuajse të gjithë dinin gjithçka për tjetrin. Vërejta sesi njerëzit të cilët më parë më përshëndetshin në rrugë, tani iknin nga unë si nga dreqi. Bile edhe në punë të gjithë më shikonin me përqeshje. Edhe koleget, me të cilat më parë pija kafen, tani më evitonin haptazi. O Zot, çka isha duke bërë kështu?! Kë isha duke e mashtruar dhe kë isha, në fakt, duke e ndëshkuar?Edhe ashtu, me asgjë nuk mund ta fshija atë që kishte bërë Jonuzi. Kisha nevojë tepër të madhe që të bisedoja me dikë para se të bëhej vonë. Vendosa që, pas orarit të punës, ta thërrisja Sarandën dhe ta lusja që të vinte te unë.

Shpresoja se nuk do të më refuzonte, gjë që, në fund të fundit, nuk do të mund t'ia shihja për të madhe. Edhe një ngjarje atë ditë më shtyri që ta realizoja këtë mendim. Ishte pauza dhe sapo e fika kompjuterin, pash se pas shpinës më doli Gjoni, kolegu nga zyra tjetër. Befasia ime ishte edhe më e madhe për faktin se me të kurrë nuk kisha pasur ndonjë muhabet. Ishte tepër i mbyllur dhe i përmbajtur për shijen time. Kur takoheshim në korridor përshëndeteshim me një të tundur të kokës dhe, kaq. Nuk mund ta merrja me mend se çka e kishte shtyrë të vinte mu sot në zyrën time. (vijon)

(Kosova Sot Online)