Ngjarje e vërtetë: Jeta në kafazin e mirësisë (12)

  • E.K /
  • 29 March 2021 - 15:52
Ngjarje e vërtetë: Jeta në kafazin e mirësisë (12)

- Shkova - më ofroi dorën, ftohtë dhe zyrtarisht sikurse edhe kur kishte ardhur, doli nga shtëpia. Përmes shikimit nga dritarja kam përcjellë taksinë dhe mbeta ulur në kolltuk deri natën vonë. Po pëlcitja nga dhimbjet, e humba edhe vetëdijen për kohën, duke u ndjerë si një mjet i hedhur tutje. Duke shikuar shtëpinë e madhe familjare, secili kënd ma kujtonte dhe zgjonte kujtime të dhimbshme, momente të vajzës sime kur ajo po rritej, në ditët kur në shtëpi dëgjoheshin zëra të njerëzve në vend të heshtjes e cila më kishte kapluar tani. Përnjëherë e kam ndjerë nevojën që të shkoj në varrin e Muharremit, të shikoj nëse së paku vajza ia kishte ndezur ndonjë qiri.

E zhytur në kujtime po qëndroja në qoshen e mermerit të varrit, e frikësuar me mendimin se vajza ime nuk e kishte falur të atin e saj të vdekur, pasi që në varr nuk kishte asnjë shenjë të ndonjë vizite. Ajo kokëfortësi e fëmijës tim, më kishte goditur aq fort. Për një moment gjithçka m'u nxi para syve të mi, e dheu nën këmbë po më qonte peshë. Kur u kthjella pak, ndjeva duart e forta të dikujt që po më mbanin nga prapa. Më pas dëgjova një pyetje me një zë mashkulli, i cili me siguri më njihte, pasi që po më thërriste në emër. - Ariana, a je më mirë? Pranë nesh po gjendej edhe një femër, e cila më kishte ofruar ujë e edhe ajo po më pyeste nëse po ndihesha më mirë.

A ke nevojë për ndihmë, të dërgojmë diku? - Ju faleminderit shumë, por mos u brengosni! Ne jemi miq të vjetër, kështu që do ta dërgoj në shtëpi - po dëgjoja, por kurrsesi se nuk po mund ta qëlloja se kush ishte ky miku im i vjetër që ishte pranë meje në ato momente. Porsa na janë takuar shikimet, i njoha sytë të cilët njëherë kishin humbur atë shkëlqimin që e kishin, si dhe fytyra e brengosur kur shumë vite më parë i kisha thënë se po kthehem me bashkëshortin tim. - Je ti Agim, apo vetëm pasi më kishte rënë të fikët fytyra e tij po më sillej nëpër kokë, fytyra e dikujt që e njihja dikur. - Po, prej atëherë kishte kaluar shumë kohë, por jo aq kohë sa për ta harruar. Më lejo të të dërgoj në shtëpi sepse nuk mundem të lë kështu, në këtë gjendje - më tha Agimi, duke ma ofruar dorën për t'i mbështetur në të. Dhe derisa frynte erë vjeshte në varreza, të dy miqtë e vjetër ngadalë po largoheshin nga varrezat, nga dalja e vetmisë së tyre. - Ndoshta po habitesh që në ato momente kritike po gjendem pranë teje Ariana!

E kam përcjellë jetën tënde që nga momenti kur po jetojmë në të njëjtin qytet. Shpeshherë isha në afërsinë tënde, i pavërejtur, sikurse një melek mbrojtës, sidomos nga momenti kur ke mbetur e vetme. Kam pritur momentin e duhur që të afrohem, e më pas edhe fati u përfshi dhe ja ku jemi. - Po shkojmë në banesën tënde apo në shtëpinë time, apo secili rrugës së vet - më pyeti Agimi kur jemi ulur në veturë. - Shkojmë në shtëpinë tonë - i thashë me vendosmëri.

Kam frikë se kemi shumë pak kohë për ta shpenzuar në formalitet e marra. Kaq shumë kam menduar për ty në gjithë këto vitet e kaluara dhe kam menduar se si do ta kishim jetën sikur të mos ndaheshim atë natë, e tash ka ardhur koha ta kuptoj këtë. Nëse je i lirë, e unë jam me plot kuptimin e fjalës, asgjë më nuk do të na ndajë - isha e sigurt se po merrja vendimin e duhur. - Natyrisht se jam i lirë. Isha martuar dhe jam ndarë gjatë kësaj vere. Që nga ai moment të kam dëshiruar vetëm ty, derisa e gjithë jeta po më dështonte pa ty. E pabesueshme ishte se sa shumë gjëra po ndodhnin për një ditë të vetme. Ne të dy jemi bashkuar dhe kemi jetuar bashkë, pa pasur asnjë problem të vetëm. Dashurinë tonë nuk e kishte fikur koha, e kur jeni të dashuruar, jeta e përbashkët ka një domethënie të plotë.

(Kosova Sot Online)