Roman dashurie: Ai i vërteti (11)

  • E.K /
  • 02 April 2021 - 15:44
Roman dashurie: Ai i vërteti (11)

KAPITULLI I TETË

Kur pas shtatë ditësh u kthye në punë, të gjithë i thanë se dukej për mrekulli. Solariumi kishte zëvendësuar mungesën e rrezitjes, ku të gjitha ditët e pushimit ia kishte përkushtuar zbukurimit të vet. Bile ia kishte dalë t'i qepte edhe disa fustane, nga të cilët njërin e kishte veshur për ditën e parë të punës pas pushimit. Qëndroi tërë kohën në zyrë, por e kishte lënë derën paksa të hapur, për të mundur që, herë pas here, të shikonte se kush kalonte te sportelet. E dinte se kë e kërkonte edhe pse ajo pritje dukej e pakuptimtë dhe e papjekur, te Doruntina ishte zgjuar njëfarë epshi i çuditshëm.

Por, koha kalonte dhe në sportel nuk paraqitej njeriu të cilin e priste ajo. Një orë para se të mbaronte orari i punës, në zyrën e saj hyri një grua trupmadhe, njëra ndër punëtoret më të vjetra. Doruntina e shikoi e habitur. - Meri, çka ndodhi? - Dua të të tregoj se, disa ditë më parë, të kërkoi një njeri. Në fakt, nuk jam tërësisht e sigurt se të kërkoi ty, por si të përshkroi, nuk njoh ndonjë punëtore tjetër që do të përshtatej më mirë. Doruntina donte që të mësonte diçka më shumë. - Çka donte ai njeri? - Nuk e di. Vetëm pyeti se ku je ti, në fakt ku është gruaja të cilën e përshkroi.

Si dukej ai njeri? - Paj, nuk e di... Më duket se kishte flokë të kafta. Në fakt, të verdha. E, mund të jetë që ta kem përzier me dikë tjetër. Meri njihej në bankë si gruaja e cila mbante mend vetëm pesë minutat e fundit të jetës së saj. Me zemërim Doruntina kuptoi se nuk mund të merrte vesh më shumë nga kjo grua, prandaj bëri përpjekjet maksimale të sjelljes së mirë, për ta pyetur se çka i kishte thënë ajo atij njeriu. - I thash se ne nuk kemi asnjë punëtore që i përshtatet atij përshkrimi. - Pse, moj Meri?! Doruntina u zgjua në këmbë dhe iu afrua arkëtares së frikësuar. - Pse ia the këtë? - E, ku ta dija unë se kush ishte ai? Pse të kërkonte, kur nuk ta dinte as emrin!

Doruntina mori frymë thellë dhe filloi që ta tejkalonte zemërimin. Më pas ia rrahu miqësisht supet Merit. - Po, ke të drejtë. Më mirë që nuk i tregove asgjë. Meri filloi përsëri të buzëqeshte dhe, e kënaqur, u kthye te sporteli i vet. Doruntina e dinte se nuk kishte kuptim ta sulmonte atë grua të gjorë, zemërmirë, vetëm pse një mashkull i panjohur e kishte bërë për vete që në shikim të parë. Filloi që ta kryente punën që i kishte mbetur. Më nuk i interesonte se çka ndodhte në sallën e madhe të bankës.

KAPITULLI I NËNTË

Gjysmë ore më vonë diçka e detyroi ta ngrinte shikimin dhe të shikonte nëpër derën gjysmë të hapur, për të parë se çka ishte duke ndodhur aty ku njerëzit qarkullonin vazhdimisht, duke bartur me vete pakënaqësi, apo buzëqeshje. Kështu ishte me paratë, mendoi Doruntina. Gjithmonë në të njëjtin vend mbledh të kënaqurit dhe të pakënaqurit. E, më pas e pa. Ai qëndronte i qetë në radhë dhe shikonte disa dokumente që i kishte në dorë. Nuk dukej sikur e kërkonte, meqë aspak nuk i kushtonte vëmendje ambientit përreth. Për një moment një gjë e tillë e lëndoi, por më pas e mori veten. U ngrit dhe u drejtua kah sporteli në të majtë të atij njeriu, sikur të mos e vërente fare. Ia bëri koleges një pyetje krejtësisht të parëndësishme e më pas, gjoja rastësisht, ashtu sikur që dinë vetëm gratë, ngriti shikimin dhe, kinse rastësisht, sytë e saj u ndeshën me ata të tijtë. (vijon)

(Kosova Sot Online)