Roman dashurie: Ai i vërteti (19)

  • A.P /
  • 11 April 2021 - 14:16
Roman dashurie: Ai i vërteti (19)

- Tani, d.m.th. çdo gjë është në rregull? - Je duke u bërë e mërzitshme me këtë pyetje. Në rregull është, sikur edhe më parë. Më lodhë me thirrje dhe mesazhe, por e tillë është ajo. E, i këtillë jam unë. Përballë meje je ti dhe nuk kam ardhur këtu që t'i tregoj fotografitë e bëra gjatë pushimeve. Ajo u skuq. Nuk mund ta kuptonte pse ai vazhdonte që të sillej aq ashpër ndaj saj. Të tillë e kishte parë duke biseduar me ish të dashurat e tij, por asaj deri më tani kurrë nuk i kishte folur kështu. E dinte se duhej të bisedonin rreth kësaj teme, se me gjasë kjo ishte arsyeja e vetme e takimit të tyre, por ajo nuk kishte guxim që e para ta hapte atë temë. Të njëjtën kohë e nervozonte fakti që kamerieri ishte tepër i ngadalshëm. Me gjasë ai kishte qenë i tillë gjithmonë dhe iu kishte shërbyer edhe më parë, por sonte asaj i duhej që kamerieri të ishte sa më i shpejtë, në mënyrë që të mund të takohej me kohë me Drenin.

- Vetëm pyeta, nuk mendova asgjë të keqe. Por, nëse të pengon, nuk do të flasim më për pushimet tua. - Natyrisht se nuk do të bisedojmë, Doruntina. Shpresoj që nuk do ta kalosh tërë mbrëmjen duke evituar bisedën për të cilën edhe kemi ardhur këtu. - Për çka e ke fjalën?! Ai u nervozua edhe më shumë. E lëshoi pirunin me të cilin deri atëherë ishte duke bërë rrathë në shaminë e letrës, për ta ndezur një cigare. - Kurrë më parë nuk jam grindur me ty, kështu që nuk e kam pasur idenë sa e vështirë qenke në këtë aspekt. Tani po filloj që ta kuptoj nënën tënde. Ky koment iu duk sikur shpullë, e dhënë fytyrës. Ishte e irrituar rreth gjendjes në shtëpi, e tani edhe ai në njëfarë mënyre e fajësonte për atë gjendje. Rinori kurrë deri më tani nuk ia kishte mbajtur anën nënës së saj, prandaj Doruntina filloi që të zemërohej pa masë. Por, përkundër kësaj, vendosi që të përmbahej. E donte tepër shumë shokun e saj, sa që t'i thoshte fjalë të rënda. - Nuk e di pse je kaq i zemëruar? Vetëm pse nuk t'u përgjigja në disa mesazhe? - Kam udhëtuar unë edhe më parë dhe të kam shkruar porosi. Të kam telefonuar dhe më ke telefonuar, pa marrë parasysh se ku isha dhe me kë isha. Kjo është hera e parë që u solle sikur nuk të interesonte asgjë, sikur të mos kishe nevojë që të bisedoje me mua. - Thjesht, të tilla ishin rrethanat. - Njëmend? Gjete të dashur të ri dhe më harrove? Doruntinës iu duk se më mirë ishte që të arsyetohej me Drenin, sesa që t'ia pranonte se sa shumë e kishte prekur fakti që nuk e kishte marrë në pushime. Dreni për të në atë moment ishte shpresa e vetme për të shpëtuar nga ajo situatë.

- Më fal, por ndoshta me të vërtetë jam dashuruar aq shumë, por po ashtu e dija se edhe ti ishe duke u kënaqur... - Pyetja që shtrohet këtu është se çka d.m.th. kënaqësia dhe lumturia... Shikimi i tij për një moment sikur humbi diku, gjë që nuk i shpëtoi Doruntinës pa e vërejtur. Megjithatë, ai shpejt e mori veten dhe e ktheu sigurinë. - A kaq i veçantë qenka ai njeri, a? - Po, me të vërtetë është i tillë. - Për çka? - Nuk e di. Në rend të parë, nuk më kontrollon. Nuk i pengojnë veprimet e mia. Nuk më detyron të bëj asgjë, por përsëri më duket se do të bëja krejt çka do të më kërkonte ai. Është argëtues, nuk më jep kurrë arsye që të zemërohem, çkado që bëj, atij i pëlqen. Nuk është xheloz, apo të paktën, këtë nuk e manifeston sikur disa të tjerë para tij. Bile, më duket se i pëlqen kur më shikojnë meshkujt e tjerë. Disi ndihet më krenar. - Qenka ai ideali, të cilin e ke pritur kaq gjatë. Këto fjalë të tij nuk tregonin se ai ishte i ngazëllyer, por më parë sarkastik. - Tani për tani me të vërtetë më duket ideal. Ndoshta gaboj, por këtë nuk do ta parashikoj tani. Nuk dua ta prishë atë që e kam me të. - A kaq e dashuruar je, a? (vijon)   


(Kosova Sot Online)