Roman dashurie: Gruaja me sekrete (5)

  • E.K /
  • 06 May 2021 - 15:53
Roman dashurie: Gruaja me sekrete (5)

KAPITULLI I PESTË

Pasi që atë pasdite shkoi në dyqan, në qiell kishte dalë një ylber i mrekullueshëm. Vlora doli nga dyqani, u mbështet në derë dhe shikoi qiellin, e magjepsur nga kjo dukuri natyrore, e cila shihet rrallëherë. Kalimtarët ishin të paktë, por as ata që kalonin nuk i kushtonin vëmendje ylberit. Përnjëherë ndjeu sikur dikush u ndal afër saj, duke shikuar atje ku ishte duke shikuar edhe ajo. Pasi u kthye prapa, pa atë mashkullin shtatlartë, me flokë të zinj. Ishte ai djali që ia kishte këputur shpirtin Lolës. Vlora u tërhoq prapa dhe hyri në dyqan. Zemra i rrihte fort edhe pse nuk e dinte pse.

Po që ishte i pashëm dhe kishte një parfum fantastik të cilin një herë ia kishte blerë vëllait të saj duke besuar që nuk kishte nuhatur ndonjëherë aromë më të mirë, por kjo nuk ka mundur që ta sjellë në gjendje të para sulmit në zemër. E më pas ai hyri brenda. E shikoi me sytë e tij të kaltër depërtues sikur donte ta përqeshte butë për reagimin e saj të mëhershëm. - Shpresoj se nuk jua ndërpreva shikimin e ylberit? - Jo, mjaft e kam shikuar. - Jeni e vetmja që e vërejtët. Më bëtë edhe mua që të shikoj në qiell. Përndryshe, as që do ta shihja. Mendoi se është duke u zvogëluar për shkak të vetëbesimit dhe gjatësisë së tij. Zërin e kishte shumë autoritar dhe jehonte në dyqanin e saj, ndërsa në anën tjetër ndikonte si një qetësues me efekt të menjëhershëm. E dinte se duhej që të vijë në vete, që nuk guxon të sillet si një tinejxhere qesharake të cilës i është drejtuar ndonjë aktor i famshëm në rrugë.

Atëherë sot e paskam bërë një vepër të mirë. Buzëqeshi. - Po, është e vërtetë dhe ju falënderoj për të. Ajo priti se ai do të dalë jashtë, por ai filloi që të shikojë nëpër dyqan si ndonjë blerës i interesuar. Atëherë i ra në mend që ai nuk ka hyrë në dyqan pas saj ose për të, por që ka ardhur si konsumator. Kjo paksa e qetësoi. - Kërkoni diçka të veçantë? - Këtu gjithçka është interesante. Nëna më ka treguar për këtë dyqan. Nuk i kam besuar kur me plot entuziazëm e përshkruante se si duket, kështu që vendosa të vij e ta shoh vetë. Pranoj që kjo me të vërtetë është diçka e veçantë. Vetëm nuk mund ta kuptoj prej nga ju ka ardhur ideja që do të keni sukses me këtë në këtë qytezë. - Gjithkund ka njerëz që pëlqejnë gjërat e vjetra. Ose së paku mendojnë që është një gjë prestigjioze t'i kenë disa. Ai buzëqeshi sërish. - Po, në modë janë gjërat që dikur moti kanë qenë moderne.

Dikush do ta blejë, për shembull, këtë tavolinë të vogël dhe të paguajë më shumë sesa një kolltuk nga lëkura, por nuk do ta respektojë historinë e saj dhe nevojën për ta ekspozuar, e jo për ta përdorur. - Po ju? A jeni vetëm kureshtarë që të shihni se çfarë ka këtu apo ju pëlqejnë antikitetet? Shpresoj që nuk jeni nga ata që blejnë tavolina të vogla të vjetra më se njëqind vite për t'i vënë këmbët në to. - Jo nuk jam, assesi. Po kërkoj diçka të veçantë, por nuk e di çka, por kur ta shoh, do ta di me siguri. Atëherë e shikoi Vlorën, ajo u rrëqeth nga koka deri te thembra, dhe jo në një mënyrë që do të mund të përshkruhej si negative. (vijon)

(Kosova Sot Online)