Roman dashurie: Një jetë më e mirë (27)

  • G.G /
  • 09 July 2021 - 14:06
Roman dashurie: Një jetë më e mirë (27)

Përfundimisht ishte egoist, por ajo e dinte këtë qëmoti. E bënte mirë punën e vet, njerëzit e donin, femrat e konsideronin një disenjator dhe stilist të talentuar dhe të rrallë. Lazimi nuk hynte në aventura, ishte besnik dhe goxha tradicional, kështu që Jehonës nuk i pengonte që disa femra e dëshironin me çdo kusht për punë, me shpresë se do të mund ta çonin edhe në shtrat. Priste një përkushtim të plotë të femrës me të cilën ishte në lidhje, i interesonte çdo detaj nga jeta e saj dhe veten e konsideronte kryesor. I telefonoi Selamiut, por u paraqit Dafina.

- E dashur, a je kthyer? Jehonës edhe një herë iu desh që t'i shpjegonte arsyet pse ishte vonuar. - Ke vepruar mirë, e dashur. Jam duke shikuar në TV një emision sesi njerëzit vozisin si të çmendur, duke shkaktuar fatkeqësi të shumta në këtë mot të ligë. Ti pusho dhe fli, e nesër mund të nisesh e pushueshme. - E, ku e kam dajën? - Shkoi në një darkë të punës. - Ti nuk shkove me të? Jehona ishte mësuar që ata dy gjithkund të shkonin bashkë.

- Nuk ndihesha aq mirë, prandaj qëndrova në shtëpi. Dje erdh Lazimi për t'i kërkuar disa vizatime të vjetra të tij. Dukej se ishte mërzitur për ty, por unë e qetësova. Ai mezi pret që ju të martoheni. - Me gjasë mendon se më pas do të më "sjellë në vete". Dafinës nuk i iku toni i saj i zërit. - A është çdo gjë në rregull? Mos jeni grindur? - Dafina, ai nuk kupton se unë mund të mendoj me kokën time. Ndonjëherë është aq egoist, saqë dëshiron të tjerët të ekzistojnë vetëm për të.

- Kjo është vetia e të gjithë disenjatorëve të famshëm. Dinë se do të jenë gjithnjë e më të paguar dhe më të kërkuar, kështu që, qysh më parë, e ushtrojnë egon e vet. - Unë nuk do të doja që dikush këtë ta ushtrojë në mua. - Nuk e di, e dashur. Nuk mund të të këshilloj. Ti e di çfarë burri të mrekullueshëm kam dhe se do ta kisha vështirë të bëja krejt çka dëshiron ai. - Selamiu është me të vërtetë burrë dukat dhe ai kurrë nuk do të kërkonte nga ti që t'i përkushtoheshe vetëm atij. - Ke të drejtë... por kjo është kështu sepse jemi të përkryer për njëri-tjetrin, të tillë si jemi. Bile as fakti që nuk kemi fëmijë, nuk na ka ndarë, por na ka ofruar më shumë. - Pyetem se cila është receta për një dashuri të tillë... - Jehona, shpirt, receta qëndron te dashuria e vërtetë. Pasi e mbaruan bisedën, Jehona pyetej se a ia kishte bërë me dije Dafina në mënyrë diskrete, se duhej ta analizonte dashurinë e saj ndaj Lazimit.

Në fillim për dhjetë minuta qëndroi para hotelit, por kur ftohtësia u bë e padurueshme, hyri brenda dhe u shtri në kolltukun e rehatshëm të foajeut të hotelit. Kanë kaluar edhe njëzet minuta dhe Jehona u nervozua. Agimi nuk do ta linte që të priste, e të mos i lajmërohej. Vendosi që ta thërriste në celular. Nuk kishte qasje. Priti deri në orën dhjetë, gjë që dmth se e priti një orë të tërë, e më pas hoqi dorë dhe shkoi në dhomë tërësisht e dërmuar. Edhe përkundër shpresës se ai mund të paraqitej çdo moment duke ia dhënë një arsyetim të pranueshëm, e detyroi veten që të hiqte dorë, ashtu që e hoqi grimin dhe u vesh me rroba të gjumit. (vijon) 

(Kosova Sot Online)