Roman dashurie: Një jetë më e mirë (28)

  • G.G /
  • 10 July 2021 - 13:06
Roman dashurie: Një jetë më e mirë (28)

E ndezi TV-në dhe u mundua që të përqendrohej duke shikuar një film të vjetër. E kishte zënë gjumi, kur u zgjua nga zilja e telefonit. Ishte Agimi. - Më fal, shpresoj të mos ishte fjetur? - Isha. - Më vjen keq që u vonova kaq shumë. - Sa është ora? - Është mesnatë. - Qysh?! A në mesnatë më thirre të më kërkoje falje, a? - Është me rëndësi, a mund të vish deri në recepcion?

- Jam në shtrat, e meqë të prita një orë poshtë, do të më vinte turp që ta shikoja recepsionistin sërish në sy. - A mundem unë të vij lart? Nuk do të hyj brenda, vetëm të të shoh pak. Nuk e dinte a ishte me mend që ta shihte, e nuk ishte e sigurt as a donte ta bënte një gjë të tillë. Më pas te ajo mbizotëroi kureshtja - më shumë nevoja që t'i qeshej në fytyrë, pasi që ai t'ia thoshte ndonjë rrenë. Mund të bënte be se ai do t'i thoshte se mysafiri nga Spanja e kishte mbajtur më shumë dhe se celularin e kishte fikur, "që të mos i pengonte kush". - Mirë. Hajde!

E la që të hynte në dhomë, por menjëherë u kthye në shtrat dhe u mbulua deri në fyt, duke mos i thënë që të ulej. Agimi mbeti disi i hutuar. Jehona vërejti se ai ishte i tensionuar. Ia bëri me dorë kah skaji i shtratit. - Ulu lirisht, por mos prit se do të jem tepër e sjellshme.

- Nuk pres. Faleminderit që më le të hyj brenda. - Nuk e di as unë pse e bëra këtë. - Të të them pse u vonova? - Ti nuk u vonove, por nuk mu lajmërove fare. Vonesa nënkupton 15 minuta, deri gjysmë ore. - Jehona, me të vërtetë më vjen keq.

- Nuk ka rëndësi. Mos më jep asnjë sqarim. Edhe ashtu me gjasë nuk do të shihemi më, prandaj nuk ka rëndësi pse u vonove, apo nuk erdhe, që të darkonim për herë të fundit?! Fjalët i dilnin spontanisht, por dikur e pa veten si një gjarpër helmues, të cilit i ishte mbledhur helmi tash e një kohë të gjatë, derisa kishte gjetur një viktimë që t'ia lëshonte. Edhe Agimi ishte befasuar nga këto fjalë. E shikonte sikur të kishte të bënte me një Jehonë tjetër, aspak të ngjashme me të.

- Unë nuk do të doja që të ndodhë ajo që thua ti. Nuk mendoj se ky është takimi ynë i fundit, por nëse me të vërtetë vendosë që të mos shihemi më, atëherë do të doja të të tregoja se çka ndodhi me të vërtetë. - Me të vërtetë nuk ka nevojë. - E di, por megjithatë do të doja. Jehona në fund pohoi me kokë, duke u rehatuar në shtrat dhe duke pritur shpjegimin e çuditshëm.

Sa i përkiste asaj, tani ai mund t'ia thoshte të vërtetën, meqë kjo nuk do të ndryshonte asgjë sa i përket situatës së përgjithshme. Jeta e saj më e mirë e priste atë diku larg nga këtu, kurse mashkulli, i cili rrinte ulur në shtratin e saj, ishte një dreq i cili ishte munduar që ta mashtronte me sharmin e saj. (vijon)

(Kosova Sot Online)