Roman dashurie: Një jetë më e mirë (34)

  • G.G /
  • 16 July 2021 - 12:00
Roman dashurie: Një jetë më e mirë (34)

- A e do njeriun me të cilin pritet që të martohesh disa muaj më pas? - Lazimin? Jo. Nuk e dua ashtu si e dua Agimin. - A i beson Agimit? - Po. Ndoshta tingëllon çuditshëm, meqë nuk e njoh, por... - A i beson? - Po. Absolutisht. - A je e lumtur me të? - Po, shumë. Por, kushedi çka do të bëhet nesër, pasnesër... - Askush, zemra ime, nuk e di këtë. Këtë as mos prit ta dish. As me Lazimin nuk mund të jesh e sigurt se çka të pret. - Por, Lazimin e njoh.

- A je e sigurt se e njeh? - Mendoj se po. - Dhe, a të pëlqejnë vetitë e tij që i njeh? - Disa jo, disa po. - Unë do të ta dëshmoj se nuk e njeh sa duhet... E mori celularin dhe thirri një numër. - Selami, zemër, a je në trafik? Jehona e shikonte e tmerruar, duke ia bërë me dorë që të mos i tregonte se ishin bashkë. Ende nuk ishte e gatshme që dajës së saj t'i tregonte sesi mendonte që të kthehej atje nga ku ai, me mirësinë e tij, e kishte nxjerrë. - Unë jam në qytet, kam dalë në shoping, prandaj jam ulur që të pushoj pak dhe ta pi një çaj. Fola me Jehonën dhe e ftova sonte për darkë...

E di se mezi pret, i dashur, por mua më mundon ajo puna me Lazimin... Po, mendoj se është më mirë t'i tregojmë... Në rregull, do të bisedojmë kur të vish në shtëpi... Edhe unë ty. Jehona mezi priste ndonjë sqarim, por Dafina heshtte, duke e përzier çajin.

- Mirë, Dafina, për çka bëhet fjalë? - Nuk mund të të tregoja asgjë pa miratimin e Selamiut. - Ma thuaj tani! - Do të ta them sonte. - Pse sonte? - Sepse nuk dua që Selamiu ta zbulojë se ti e dije tanimë këtë gjë. Kjo do të ishte sikur unë ta kisha tradhtuar atë. - Por, nuk mund të më mbash kështu, në këtë siklet! - Më duhet, më kupto. Selamiu do të t'i thotë të gjitha. KAPITULLI 23 Ishte zverdhur si limoni. Saimiri e mbante për dore, e Dafina i qiti edhe më shumë verë.

Ajo që sapo i thanë ishte e tmerrshme. - Nuk mund të besoj... Gjithçka do të prisja, por këtë... - Kështu e ke, Jehona. Nuk isha i sigurt, mendoja se ishin vetëm thashetheme, meqë Lazimi tanimë bën pjesë në rrethin e të njohurve dhe këngëtaret shtyhen për të, prandaj e luta një shok nga Nju- Jorku që të interesohej për të. Dhe, përfundimisht, gjithçka është e vërtetë.

Atje kishte jetuar me atë të dashurin e tij dhe të gjithë e dinë se Lazimi ia kishte thyer zemrën atij kur kishte vendosur që të kthehej. Për ty nuk dinte askush. Këtu kishte filluar lidhjen me një manekin të ri, por meqë e ka përparësi faktin që nuk dihet se është gej, ai vendosi që të martohej, me qëllim që ta ruante reputacionin. - Dmth unë qenkam vetëm mburojë për të!

- Ti je grua ideale për të, meqë ai për ty ishte mashkulli i parë dhe, duke qenë se nuk ke shumë përvojë, nuk do ta hetoje nëse diçka nuk do të ishte në rregull. Jehona u ndie keq që edhe daja i saj e paska ditur se ajo ishte e virgjër deri te lidhja me Lazimin.

Ai buzëqeshi dhe ia shtrëngoi dorën. - Shpirt, unë i di të gjitha edhe pse nuk kam pyetur kë. Ti je fëmija im dhe i Dafinës, fëmija i vetëm që kemi. Na është dashur që t'i lexonim disa gjëra midis rreshtave, duke mos bërë pyetje, që të të mos lëndonim. - E, pse nuk ma thatë këtë më parë? A do të lejonit që unë të martohesha me Lazimin, duke mos më treguar? Tani u përzie Dafina. - Informatat nga Nju -Jorku kanë ardhur disa ditë më parë, e derisa i morëm ato, as unë e as daja yt nuk donim të bazoheshim në thashethemet e çarshisë. Nga ai moment kemi menduar sesi të ta kumtojmë këtë lajm të keq. (vijon)

(Kosova Sot Online)