Roman dashurie: Një jetë më e mirë (35)

  • G.G /
  • 17 July 2021 - 12:58
Roman dashurie: Një jetë më e mirë (35)

Ti udhëtove, prandaj pritëm derisa të ktheheshe. Do të të tregonim pas disa ditësh, sikur ti të mos m'i kishe thënë të gjitha ato gjëra, duke më dhënë shkas që të të tregoj sa më parë sekretin, në mënyrë që ta marrësh vendimin e duhur. Derisa dy femrat ishin duke u përqafuar, Selamiu i shikonte i hutuar. - Prisni, ju të dyja keni biseduar sot?

Dhe, Jehona, çfarë vendimi duhet ta marrësh? Jehonës iu formua një duq në fyt. Tani edhe Selamiut duhej t'ia shpjegonte se si ishte e gatshme ta linte jetën e rehatshme për shkak të një lidhjeje jo të sigurt. Me një të shtrënguar dore, Dafina e inkurajoi që të vazhdonte. KAPITULLI I NJËZETEKATËRT Selamiu nuk ishte aq i qetë dhe i përmbajtur si Dafina.

- Duhet që unë së pari të pyes për të, të shohim si i ka fijet. Mos është ndonjë rrenacak, i cili i shfrytëzon vajzat. - Selami, pashë Zotin! Jehona është mjaft e rritur që vetë t'i vlerësojë njerëzit. - Nuk e vlerësoi Lazimin! - Atë nuk e "vlerësuam" as ti e as unë. Mos i përziej gjërat që nuk përzihen. Jehona vetëm kërkon mbështetje që ta marrë vendimin e duhur.

E ti, me gjasë, respekton një gjë të tillë. Jehona tanimë kishte vendosur. Bile edhe sikur daja i saj i dashur ta kundërshtonte, ajo nuk do ta ndryshonte vendimin e saj. Tani i vinte mirë që Lazimi ishte gej. Sikur fati vetë ia kishte lehtësuar vendimin. Selamiu dhe Dafina biseduan edhe një kohë me zë të ulët në kuzhinë, e më pas Selamiu u kthye në dhomën e ditës, duke u ulur afër Jehonës. - E di se ke frikë nga e pasigurta. Tani mendon se jetën që e bën tash e nëntë vjet, e ke fituar si dhuratë, gjë që nuk është e vërtetë. Ti këtë jetë e meritoje, ky ishte fati yt. Edhe sikur të mos isha unë, ti do të dilje nga ajo jetë e mjerë që bëje më parë. Ndoshta do të vinte po ai njeri për të ta blerë shtëpinë, duke u dashuruar në ty. - Nuk besoj se do të dashurohej në mua, po të më kishte parë me rroba të zbardhura nga vjetërsia.

- Kur dy njerëz janë të bërë për njëritjetrin, atëherë ndodhin mrekulli. Në sytë e burrit gruaja e referuar nga Hirushja shndërrohet në princeshë. Pra, vetëm dëgjoje zemrën tënde. Ajo e përqafoi. Iu kujtua se edhe Agimi ia kishte thënë të njëjtat fjalë kur ishin ndarë. - Faleminderit, dajë, faleminderit për gjithçka që ke bërë për mua. - Faleminderit ty që ekziston, e dashur. KAPITULLI I NJËZETEPESTË Voziste nëpër autostradë 170 km në orë. Nuk iu kushtonte vëmendje shenjave të komunikacionit. Thjesht, donte që sa më parë të ishte me mashkullin që e donte.

Me Lazimin mbaroi punë shumë shpejt. Pas asaj darke u kthye në shtëpi dhe e gjeti atë duke pirë birrë në kauç dhe duke shikuar një revy të modës. Ai menjëherë e tërhoqi nga vetja. - Prit, Lazim. Nuk mund t'i përdorësh përqafimet dhe ledhatimet për qëllime të gabueshme. Ai u mërrol. Sikur hetoi diçka. - Për çka e ke fjalën? - Për atë se nuk je ai që kam menduar se je. Pse nuk më ke thënë se të pëlqejnë meshkujt? - Si, si? Kah të erdhi kjo shpifje?

Kërceu sikur i përvëluar. Fytyra iu skuq, e duart filluan që t'i dridheshin. - I di të gjitha! Dhe, nuk ta shoh për të madhe. Megjithatë, është dashur që të më tregoje, t'iu tregoje të tjerëve. Nuk kam asgjë kundër homoseksualëve, ti e di edhe vetë. Por, është absurde që unë, e cila besoj në një dashuri të vërtetë, të martohem me dikë që asnjëherë nuk do të më donte me të vërtetë, ashtu si duhet. Lazimi pa se ishte e kotë të rrente. U mbështet për muri dhe e kapi kokën me duar. (vijon) 

(Kosova Sot Online)