Roman dashurie: Si u dashurova në ty (43)

  • E.K /
  • 31 August 2021 - 15:40
Roman dashurie: Si u dashurova në ty (43)

Ajo është duke u përpjekur aq shumë që t'i luftojë emocionet e saj. Ia ledhatoj flokët me gishta dhe ia lëmoj shpinën. Ajo vazhdon, me zë të tendosur, por paksa më të fortë tani. "E diela ishte dita e fundit. Ishte ditë me stuhi. Binte aq shumë shi, saqë nuk shihej asgjë. Frynte edhe një erë e madhe. Dua të them, kurrë nuk kam parë erë të tillë. Pishat që gjendeshin afër kabinës ishin bërë thuajse dyfish nga era e fortë". Ajo ndalet, duke gulçuar sikur të ishte tepër e lodhur, më pas vazhdon me një zë shumë më të butë dhe më të ndjeshëm. "Ra një dru. Duhej të më kishte goditur mua… dhe gati sa s'më goditi. Një pjesë e mirë e anktheve që më mundojnë kanë të bëjnë me këtë moment, të cilin e shoh pa ndërprerë, drurin duke ardhur në drejtimin tim. Por, këto janë ankthe të lehta.

Një pjesë të sekondës para se druri të më godiste, Kyle më hodhi përtej. Dua të them, ai më goditi me forcë dhe më shpëtoi. Nuk më kujtohet kur kam ra në tokë, por më kujtohet dhembja kur pashë ashtin e bardhë, duke më dalë nga dora. Jam unë ajo që do të duhej të vdisja. Ai më shpëtoi mua. Por, në vendin tim, druri e goditi atë. E the. Një degë e shpoi tej e përtej. Pashë gjakun duke dalë nga goja e tij, duke dalë nga buzët e tij sikur të ishte krua. E pashë duke vdekur. As që e dija adresën ku ndodhesha dhe ai, para se të vdiste, ma tregoi adresën. Ambulanca arriti vetëm pasi që ai tanimë kishte vdekur. U mundova që ta largoja drurin nga ai, por vetëm sa u lëndova edhe më shumë.

Dorën e theva edhe më shumë kur u rrëzova në baltë. Ky është momenti më i tmerrshëm i jetës sime: të rrish e shtrirë në baltë, duke e shikuar atë duke vdekur. Duke parë sytë e tij duke u shuar. Sytë e tij ngjyrë çokollate. Fjalët e fundit që i tha, ishin "të dua"". Unë nuk merrja guximin që të flisja. Ajo dridhej aq shumë, saqë më dukej sikur të kishte ngërçe. "Gjëja tjetër që shoh, çdo natë, është këpuca e tij. Kishim shkuar më parë në një restorant luksoz italian. Ai kishte mbathur këpucët e zeza, të lëkurës me xhufka përpara. I urreja ato këpucë. Kur i kishte rënë druri përmbi, ai e kishte goditur atë aq fort, saqë këpuca i kishte kërcyer goxha larg. E shihja atë këpucë të marrë me xhufkë, sikur të ishte një copë muti në baltë". Edhe pse e dija se do të më kundërshtojë, më duhet t'i them diçka. "Nuk ishte faji yt". "Mos e thuaj këtë! Ti nuk di asgjë!" më bërtiti ajo në vesh aq fort, saqë veshi filloi të më ushtonte.

"Atëherë më trego ti", i them, duke pëshpëritur. "Nuk mundem. Nuk mundem"! Ajo e tundë kokën, duke refuzuar. "Ishte faji im. Unë e vrava atë". Ajo filloi të dëneste. "Dokrra! Ai të shpëtoi ty. Ai të deshi ty. Ti nuk e vrave atë". "Ti nuk kupton. Unë e vrava. Ne ishim duke u grindur. Sikur të kisha thënë 'po', ai do të ishte gjallë. Ti nuk kupton. Nuk kupton. Nuk mund ta dish. Sikur unë të kisha thënë 'po', ai do të jetonte tani. Por, unë thash 'jo'". "Për çka e ke fjalën?" Duke vazhduar me dënesje dhe duke pasur vështirësi në frymëmarrje, ajo mezi foli. "Ai më propozoi martesë. Unë i thashë jo". "Ti kishte vetëm tetëmbëdhjetë vjet". "E di. Për atë edhe i thash jo. Ai donte që të studionte në Stanford, e unë doja që të shkoja në Sirakuzë. Do të shkoja në Stanford, vetëm që të isha me të, por... nuk mund të martohesha me të. Nuk isha e gatshme për një gjë të tillë. Për t'u martuar". "Normalisht". (vijon)

(Kosova Sot Online)