Ngjarje e vërtetë: Si më tradhtoi burri ditën e martesës (6)

  • G.G /
  • 16 September 2021 - 13:07
Ngjarje e vërtetë: Si më tradhtoi burri ditën e martesës (6)

- Tanimë u shqetësova për ty - tha Meti, e meqë unë heshtja, ai shtoi: - Më duhet të pranoj se bile edhe u frikësova - tani në zërin e tij hetohej një shqetësim i vërtetë, një lodhje, frikë, e ndoshta edhe një ndjenjë faji. - U frikësove për veten, a për mua? - e pyeta, duke e shikuar drejt në sy. - Hana, çfarë pyetjeje është kjo? - reagoi ai me nervozizëm.

- Do të ta them troç. Isha në zyrë. I qerasa kolegët dhe bisedova pak me ta. Natyrisht, i mora edhe përgjigjet që më nevojiteshin - thashë, duke parë fytyrën e Metit sesi shtangej përnjëherë. - Hana, më lejo të ta shpjegoj. Nuk është ajo që mendon ti. Të dua vetëm ty. Ajo... O, sa e mjerë dhe sa patetike, mendova me vete. A thua kështu po u shkatërruakan dashuritë e mëdha? - A do të largohesh ti, apo të largohem unë? - i thashë, duke mos i kushtuar fare vëmendje asaj që ai mundohej të ma shpjegonte. Për një kohë nuk tha asgjë, e më pas foli: - Unë po shkoj. Po shkoj te prindërit.

Ti rri këtu. Mora edhe shtatë ditë të tjera të lira. Qaja, ecja nëpër banesë poshtë-lartë, refuzoja që të flisja me burrin, me prindërit dhe me shoqet rreth gjendjes së martesës sime. Më pas, të hënën tjetër, përfundimisht shkova në punë. Atmosfera në zyrë ishte e tendosur, apo thënë më mirë, shumë e pakëndshme. Valentina mblodhi plaçkat e saj dhe u zhduk. Më thanë se kishte marrë ditë të lira. Çka do të ndodhë pasi që të kthehet, thashë me vete dhe menjëherë gjeta një zgjidhje. Të nesërmen në mëngjes shkova te shefi, me të cilin kisha një raport të mrekullueshëm dhe e pyeta se a vlente ende ajo oferta e para dy muajve, të cilën e kisha refuzuar për shkak të planeve personale.

- Hana, mos u ngut. Ndoshta duhet të bisedosh më parë me Metin... - filloi shefi me kujdes. - Atëherë unë po e lë punën - i thashë me buzën në vaj. - Jo, moj! Nuk ke nevojë. Ai vend pune është për ty, por... - Më kupto, duhet të largohem nga këtu. Nëse vazhdoj të rri, do të më zihet fryma - i thashë me nervozizëm. - Në rregull, do ta rregulloj këtë - më tha ai me një zë atëror, edhe pse ishim thuajse moshatar. - Vetëm sa më shpejt - thashë dhe dola jashtë. Disa ditë më vonë u nisa për udhë. Do ta bëja të njëjtën punë, por në një qytet tjetër. Para meje kisha vetëm edhe një detyrë: të ballafaqohesha me Metin. Rasti e deshi që, qysh të nesërmen, ta takoja Amirin. - Më vjen shumë mirë që të takova - më tha.

- Dje u ktheva - i thashë. - A e di Meti? - Mund t'i tregosh ti. - Nuk ma merr mendja. Pas asaj që ndodhi i kemi prishur raportet edhe ne. Ai mendon se unë jam fajtor. Nuk më la as t'i shpjegoja. Nuk ia vlen më të flasim për këtë. - Mirë e ke. Po shkoj tani - i thashë. - Do të më vijë mirë nëse do të takohemi ndonjëherë. Të nesërmen, para derës së banesës sonë e pashë Metin. Këmbët m'u dridhën nga befasia. Më duhej kohë që ta merrja veten. Mendoj se edhe ai ndihej njësoj, prandaj biseda nuk filloi menjëherë. - Supozoj se e di pse kam ardhur dhe, pse e kam zgjedhur këtë mënyrë, pa paralajmërim - filloi ai.

- Nuk e di, më trego ti. - Doja të të shihja edhe një herë, vetëm në katër sy, në banesën tonë. Do të doja të bisedoja në qetësi. - Për çka? - Rreth shkatërrimit të martesës sonë. Më duket se nuk i kemi sqaruar të gjitha gjërat. - Unë them se i kemi sqaruar, me përjashtim të disa formaliteteve, sikur që është ndarja e pasurisë. (vijon)

(Kosova Sot Online)