Ngjarje e vërtetë: Si u takova me dashnoren e burrit (3)

  • E.K /
  • 27 tetor 2021 - 15:54
Ngjarje e vërtetë: Si u takova me dashnoren e burrit (3)

Kam lëvizur tutje dhe erdha në përfundim se nuk ka ndonjë arsye që t'ia lëshoj vendin, marrë parasysh faktin se, megjithëse e vjetër, sipas vlerësimit tim, ajo ishte në formë më të mirë se unë. Duke u shtirur se nuk po e vërej se sa vrazhdë më shikonte, kam kthyer kokën nga anash dhe po shikoja në dritare. Kisha kaq shumë brenga në mendje. Para disa ditëve Mrika më kishte lajmëruar për një takim të prindërve. Dhe, ky takim, pikërisht sot, në ditëlindjen e burrit, ndërsa që unë i kisha përgatitur një tortë.

Burri im, në fakt, kishte mbushur të pesëdhjetat dhe për mysafirë do të vinin gjithë farefisi i tij. Kam dashur që gjithçka të jetë si më së miri, por se ajo mbledhja e prindërve m'i kishte çrregulluar planet paksa dhe nuk isha e sigurt, nëse do të mund të arrija t'i përfundoja të gjitha me kohë. Derisa unë isha zhytur në mendimet e mija, e rrethuar me njerëzit e autobusit, deri te veshët e mi arriti një bisedë që më tërhoqi vëmendjen. A mos pikërisht kjo biondina që po mbahej pranë meje e ka përmendur emrin e burrit tim? - Mos, Fatmiri është kaq i ëmbël - i tha me zë të lehtë njërës prej shoqeve me flok të zezë.

A mos nuk është vallë paksa i vjetër për ty - po i interesonte kësaj. - Jo moj! Ata që nga mosha pesëdhjetë vjeçe janë më të mirët! Pesëdhjetë? Duke dëgjuar këtë, u drejtova dhe i bëra veshët katër për të dëgjuar vazhdimin e tregimit të tyre. - Para shkurorëzimit është, e di. Dje ma ka thënë këtë! - Dhe, çfarë do të bëni më pas? - Epo, do të martohemi, natyrisht moj budalla - tha duke hedhur nga anash flokët e saj. - Po shikoje se çfarë i kam blerë për ditëlindje! Me majën e syrit po e shikoja deri ajo e futi dorën në çantën e saj të kuqe dhe ka nxjerrë një lloj kutie. Po hamendësoja se ishte parfum. - O, po kjo qenka një "Kenzo" - e solli kokën kjo tjetra. - Nuk qenke kursyer fare. - Edhe jo, ta dish! Çmendem pas tij, dhe gjithçka do t'i jepja!

E ku të dërgon nesër princi yt? - Nesër askund. E gjithë farefisi i shkon mysafir për ditëlindje. Ma ka thënë se nuk dëshiron t'i lë vetëm, por nëse mundet që të nxirret disi prej tyre. Unë e kuptoj këtë. Ne të dy ditëlindjen e tij do ta festojmë këtë fundjavë. Më ka premtuar se do të më dërgojë në një vend të veçantë. Edhe për pak kohë po fliste për mashkullin, që në fakt ishte burri im, duke e falënderuar atë se sa i këndshëm dhe i sjellshëm që është, e më pas kaluan në një temë tjetër. Derisa ato po flisnin për temat e tyre dhe gjërat e përgjithshme, unë isha ngurtësuar në vend dhe nuk po mund të lëvizja fare.

A po udhëtoj unë kështu me dashnoren e burrit tim? Faqet po më digjeshin, e isha mbuluar edhe me një djersë të akullt. Si është kjo e mundur? Fatmiri im paska të dashur! Dhe në çfarë mënyre bizare po e kuptoj unë këtë! Kur përfundimisht erdha në vete, e kam kuptuar se tashmë e kisha kaluar stacionin. Jam ngritur shpejt dhe po shtyja drejt daljes. Mbi të gjitha më duhej edhe të vonohesha për punë. Por, në këto momente kjo ishte brenga më e vogël. Porsa kam kaluar portën në ndërtesë, kam vrapuar në tualet dhe me telefon kam lajmëruar motrën. - E si të jem e sigurt se po flinin për Fatmirin tim - më pyeti ajo, derisa unë po ia shpjegoja ngjarjen. - Sa ka gjasa që të bëhet fjalë për burrin tim, i cili është i martuar, pikërisht nesër mbush të pesëdhjetat dhe në festën e tij i vjen e gjithë familja? Motra për një moment heshti. Po, por nuk mund të jesh e sigurt se qind për qind po bëhet fjalë për burrin tënd - më tha ajo. Më duhet ta pranoj se mendimi i saj optimist më ka prekur, por nga ana tjetër e kam ditur se ndoshta po mashtrohem. (vijon).

(Kosova Sot Online)